Bombat në Zagreb ngjasojnë me Bejrutin

Bombat në Zagreb ngjasojnë me Bejrutin

Bombat në Zagreb ngjasojnë me BejrutinBombat në Zagreb kanë shpërthyer në kohën kur ashpërsohen marrëdhëniet kroato-serbe, kur HDZ-ja e shfrytëzon krizën, kur Kisha katolike fton për “luftë kryqëzatash”, ndërsa pushteti tregon shenjat e dobësisë.

Kryeqendra e Kroacisë, Zagrebi, ditëve të fundit gjithnjë e më tepër po bëhet i “njohur” për zhvillime dhe ngjarje që i ngjasojnë Bejrutit. Shumë terrori, analiza dhe vlerësime paraqiten dhe zhvillohen, por definicion të plotë akoma nuk ka për gjithë atë që ka ndodhë ditëve të fundit.

Lidershipi politik kroat, disi “ua ka besua” organeve gjithë këtë veprimtari, për dallim nga disa periudha kur Kroacia drejtohej nga kryeministri Ivo Sanader dhe presidenti Stipe Mesiq, edhe pse edhe ata kanë dhënë vlerësime mbase të përshpejtuara.

Kur është vrarë Ivana Hodak, e bija e avokatit Zvonimir Hodak, kryeministri i atëhershëm kroat Ivo Sanader, brenda dy orëve publikisht akuzoi mafien, për këtë vrasje, ndërsa më vonë rezultoi se ekzekutimi i vajzës së avokatit Hodak është bërë nga një i pastrehë, duke u kthyer nga “shopingu”.

Kur është vënë bomba që shpërtheu nën veturën e pronarit dhe kryeredaktorit të gazetës “Nacional”, Ivo Pukaniqit, Ivo Sanader dhe Stipe Mesiq bashkërisht, në harmoni të plotë deklaruan se kjo është vepër terroriste në qendër të Zagrebit, ndërsa më vonë u konstatua se bëhej fjalë për një vrasje të porositur nga mafia.

Ndërkaq, tani, kur Zagrebi tundet e dridhet nga mjetet shpërthyese ( qofshin ato edhe artizanale), kur ngrihet në ajër hekurudha dhe gjëmon Zagrebi nga bombat nëpër qytet, pushtetarët me këmbëngulje i shmangen që të deklarojnë se bëhet fjalë për akte terroriste.

Komploti dhe teoritë e komplotit

Ekspertët akoma janë duke ekzaminuar dhe marrë në pyetje dëshmitarët. Ata zyrtarisht nuk konfirmojnë se personi i lënduar është edhe i dyshuar, por pavarësisht nga ajo se kush qëndron prapa këtyre shpërthimeve dhe cilat janë motivet që e (i) kanë shtyrë në këto akte, shpërthimet në mesnatë e kanë plotësuar së paku një nga qëllimet e teorisë së komplotit: kanë shkaktuar panikë, frikë dhe pasiguri dhe kanë shkaktuar një sërë teorish të komploteve të ndryshme. Edhe pse këto shpërthime (për fat të mirë) nuk morën viktima në njerëz, por edhe dëmi i shkaktuar është i vogël, kanë ndodhur në periferi të qytetit dhe në orët e vona të natës, që kanë domethënie të madhe të momentit të shpërthimit dhe jehonës së shpërthimeve.

Kisha kërkon një “Stuhi” për të larguar “nacistët dhe komunistët

Duke përcjellë zhvillimet në Kroaci, kuptojmë se kleri katolik dhe pushteti nuk kanë marrëdhënie të mira, pos atyre të kohabitacionit. Në momentin kur Kardinali Josip Bozaniq, ua tërheq vërejtjen se është “Rrezikuar paqja në Atdhe”, si dhe në momentin kur ndihmësipeshkvi, Valentin Pozaiq flet se ka nevojë për një “Stuhi të re”, që do ti fshinte nga pushteti “Nacistët dhe komunistët”.

Kur njëkohësisht edhe teologu i mirënjohur kroat, Adalbert Rebiq, ua tërheq vërejtjen nga “komplotet e homoseksualëve, komunistëve dhe lesbikeve që po e shkatërrojnë Kroacinë”, janë thirrje që shqetësojnë anekënd Kroacisë.

Nga ana tjetër, edhe kryetari i HDZ-së (Bashkësisë Demokratike të Kroacisë), Tomisllav Karamarko (ish ministër i brendshëm) flet për një “pushtet jopopullor që sulmon Kishën bashkë me katolikët dhe vlerat patriotike” ndërsa militantët e partisë së tij, me ndihmën e TV kroat, HTV, pikërisht synojnë një luftë të re me serbët në Borovo Sello afër Vukovarit.

Kur të gjitha këto sublimohen, atëherë kuptohet mirëfilli se nëse ndokush ka dëshiruar që të krijojë një atmosferë të gjendjes së jashtëzakonshme, këto bomba për ata kanë qenë të mirëseardhura dhe kanë qenë sikur të porositura.

Atmosferë e frikës dhe pasigurisë

Gati në një situatë të atmosferës së ngjashme të frikës dhe pasigurisë, asokohe është pritur lajmi për vrasjen e Ivana Hodak, bijës së avokatit Zvonimir Hodak, që ishte asokohe avokat mbrojtës i gjeneralit Vlladimir Zagorac, që pikërisht ato ditë ishte ekstraduar nga Austria në Kroaci, dhe kishte deklaruar se ekstradimi i tij mund të ketë pasoja të mëdha në Kroaci.

Qytetarët e ndershëm asokohe ndezin qirinj në shenjë solidariteti me viktimën e mafias, Ivana Novak, ndërsa Qeveria po atë mbrëmje e ka shkarkuar ministrin e brendshëm dhe atë të drejtësisë, ndërsa kryeministri i tashëm (atëherë në opozitë), Zoran Millanoviq, është solidarizuar me kryeministrin Ivo Sanader, për të qëruar hesapet me krimin e organizuar. Dhe më në fund, rezulton si vrasës një mjekërrosh i pastrehë, që vrasjen e ka bërë për banalitet.

Zagrebi nuk do të bëhet Bejrut

Pas vrasjes së Ivana Hodak, në një klimë edhe më të përkeqësuar është pritur ndodhia e radhës-atentati ndaj Ivo Pukaniqit, pikërisht në kohën kur pushteti deklaronte se “Zagrebi kurrë nuk do të bëhet Bejrut”, dhe më pas kishte arrestuar një grup të vrasësve mafioz.

Tani, e djathta klerikale e ka shfrytëzuar edukatën shëndetësore që të potencojë një atmosferë luftarake popullore, ku logjikisht diversionet e një personi, qoftë ai edhe ndonjë maniak, tua përshkruajë se janë motive më të larta.

Shkaktimi i panikës, krijimi i një gjendje të jashtëzakonshme, nxitja e një revolucioni popullor me qëllim të përmbysjes së pushtetit dhe regjimit “jopopullor” si dhe përforcimin e teorisë sipas së cilës “kjo është vepër e terroristëve serb”, ose e agjentëve të “këtij regjimi nacist dhe komunist” me qëllim të kompromitimit të Kishës katolike, sipas shembujve të dredhive të udbashëve ndaj emigracionit ekstrem, ose për gjithë këtë fajtor janë “filmat partizan”, ashtu siç shprehet një “ekspert” për problemet e shërbimeve sekrete në HTV.

Bombat tani shihen si “mesazh pushtetit”, por ndoshta fare nuk kanë të bëjnë me këtë. Por ama, ashtu është kur njerëzit tashmë nervat u janë dobësuar, dhe edhe kur shushurima më e vogël dëgjohet, ata kërcejnë nga shtrati prej tmerri, panik dhe pasigurie. E sit ë mos reagojnë në shpërthime të tilla sikur ishte rasti në Posdused dhe mbrëmë në Alena “Bologna”.

Çetnikët dhe emigrantët

Kur jemi tek bombashët, është mirë të rikujtohemi shembullit të muajit shtator të vitit 2011. Atëherë ndodhi një shpërthim në deponë ushtarake në Knin, dhe pas shpërthimit, gazetës “Sllobodna Dalmacija” i është paraqitur personi i cili është prezantuar si “Anëtar i Lëvizjes Revolucionare Serbe” dhe në emër të kësaj organizate çetnike, e ka marrë përgjegjësinë për shpërthimin në Knin.

Pas verifikimit të mëvonshëm është zbuluar se thirrja ka ardhur nga telefoni që është në pronësi të Petar Penava, ish pjesëtar i Shërbimit sekret ushtarak dhe anëtar i Lëvizjes Shtetformuese të Kroacisë, përndryshe, bëhej fjalë për personin për të cilin flitej se ka vënë bombë në Ambasadën e Kroacisë në Berlin, ndërsa në opinion ka qenë i njohur si dëshmitar në rastin e vrasjes se Stjepan Gjurekoviqit. (Stjepan Gjurekoviqi është vrarë nga dora e UDB-së, më 1983 në Gjermani, në operacionin e quajtur “Dunav” )

Luftë kryqëzatash

Këto bomba në Zagreb kanë shpërthyer pikërisht në kohën kur ashpërsohen marrëdhëniet kroato-serbe, kur HDZ-ja e shfrytëzon krizën për të frikësuar qytetarët, kur Kisha katolike fton për “luftë kryqëzatash”, ndërsa pushteti tregon shenjat e dobësisë dhe veprojnë sit ë humbur në hapësirë dhe kohë.
Nëse këto vepra të shpërthimeve në Zagreb edhe nuk janë akte terroriste, ato janë përjetuar dhe përjetohen si të tilla.

Në fund të fundit, nëse peshkopët e kërkojnë dhe ftojnë një “Stuhi të re” (Oluja), atëherë këto bomba janë ato që më së pari të shkon mendja dhe menjëherë më pas mendja të shkon se këto janë vepra të serbëve, se prapa tyre qëndrojnë serbët, pos nëse prapa këtyre akteve nuk qëndrojnë komplotet e pederastëve dhe lesbikeve. Dhe pikërisht atëherë do të ishte një bombë e vërtetë.