jeremic

“Blic”: SHBA rekomandon ndërrimin e Jeremiqit

Pas vendimit të Gjykatës së Drejtësisë në Hagë se deklarata për pavarësinë e Kosovës nuk është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, nga SHBA arrin porosia për Beogradin se është koha e duhur që të shkohet përpara dhe të arrihet marrëveshja, porse kjo nuk është e mundur derisa tregimin për Kosovën e udhëheq ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Vuk Jeremiq, shkruan sot e përditshmja e Beogradit “Blic”.

Gazeta vlerëson se pozicioni i Jeremiqit nuk është i mirë as në skenën e brendshme të Serbisë, pasi që partitë opozitare e akuzojnë se ka insistuar që në çështjen e Kosovës të shkohet para GJND-së dhe atje ka pësuar disfatë.

Brenda Partisë Demokratike, Jeremiq nuk mund të llogarisë në mbështetje, meqë një krah i kësaj partie vendimin e Hagës e sheh si aktgjykim ndaj tij, thekson “Blic”.

Duke u thirrur në burime diplomatike të informuara mirë, “Blic” shkruan sot se SHBA-ja dhe BE-ja kërkojnë nga Serbia të mos këmbëngulë për rezolutë mbi Kosovën në Kombet e Bashkuara ose së paku në tekstin e tij të mos insistojë për negociata rreth statusit të Kosovës.

Nëse Serbia megjithatë vendosë të paraqes rezolutë, SHBA dhe Shqipëria do të paraqisnin rezolutën e tyre, shkruan “Blic”.