blerim-destani

Blerim Destani – Ambasador i Tetovës në botë

Blerim Destani: “Rolin e Sabastianit ia dedikova udhëçelësit të kulturës shqiptare në arenën kinematografike ndërkombëtare, Bekim Fehmiut”

I cilësuar nga fansat si njeri prej V.I.P.-ave me atraktivë për momentin dhe që sjell gjithmonë risi duke qënë në qënder të vëmendjes si për gazetarët që merren me shtypin rozë ashtu edhe për ata që ju intereson karriera e tij, është një aktor i cili që në paraqitjen e tij të parë filmike rrëmbeu zemrat e adhuruesve të filmave. Tetova krenohet me të, krenohet me artistin e tyre Blerim Destani.

Gazetarja – Projekti  i ri filmik është paksa më ndryshe nga tjerët. Inçizimi i tij është  bërë pa prerje fare.  Ishte e vështirë?Ju kaplonin emocionet e forta herë-herë dhe si i përballonit këto situata?

Blerim Destani – Filmi “90 minutes – The Berlin Project” është vërtetë unikat për mënyrën se si u xhirua dhe po ashtu do jetë unikat edhe për nga mënyra se si do përjetohet  nga publiku.  I gjithë procesi i pregatitjes ishte shumë emocionues dhe sfidues për të bërë gjëra të reja. Xhirimet ishin një përvojë e mrekullueshme,  çdo skenë duhej të xhirohej në një plan pa ndërprerje dhe kjo nënkuptonte që duhej edhe një koreografi e saktë për të gjithë elementët përbërës të filmit.

Gazetarja – Si erdhi deri tek ideja për këtë film dhe pse është xhiruar në një prej qendrave më të njohura në Europë siç Berlini?

Blerim Destani – Ishte një ide e kahmotshme që kishim me regjisorin Ivo Trajkov (i cili është profesor në Akademinë e filmit në Pragë) për të punuar diçka bashkë dhe diçka jo konvencionale. Kështu erdhëm tek storia, më pas e zhvilluam skorien dhe ngeli që storia e cila është shumë dinamike e  kërkonte edhe një qytet që po ashtu kishte dinamikën e vetë. Në atë kohë ne kishim titullin e punës “90 minuta” dhe Berlini ishte qyteti që tek të dy na u imponua vetë. Disa javë shkuam në Berlin dhe filluam ta hulumtojmë qytetin duke e pasur skorien tonë si kontekst. Gjithçka shkoi për mrekulli, Berlini me lokacionet e veta u bë pjesë e fuqishme e stories dhe vendosëm që aty ta xhirojmë, pasi edhe vetë Berlini u bë pjesë e fuqishme e filmit.

Gazetarja – Cilit zhanër të kinematografisë i përket ky film?

Blerim Destani – Mund të quhet film eksperimental i zhanrit triler – aksion.

Gazetarja – Cilat janë tre dukuritë që e bëjnë këtë film më të veçantë?

Blerim Destani – Nuk dua të zbuloj shumë gjëra para se filmi të prezantohet para publikut shqiptar, por mund të them që publiku me filmin do përjetojë 90 minutat më të shkurtra në jetën e tij.

Gazetarja – Çfarë e bën më karakteristik rolin e Sebastianit?

Blerim Destani – Që në momentin e parë kur Ivo shkroi sinopsin, unë thellë në vete e bëra një dedikim, pra rolin e Sabastianit ia dedikova udhëçelësit të kulturës shqiptare në arenën kinematografike ndërkombëtare, Bekim Fehmiut.

Gazetarja – Keni qënë protagonist në shumë filma tjerë me role të ndryshme.  Në cilin prej tyre jeni ndjerë si Blerimi i vërtetë dhe e keni patur më të lehtë të aktroni?

Blerim Destani – Në çdo rol unë investoj diçka nga vetja dhe të gjithë rolet kanë diçka timen, kuptohet në kontekste të ndryshme. Nuk besoj se ka role të lehta apo të rënda, pasi procesi i pregatitjes është i njëjtë dhe kërkon të njëjtin përkushtim.

Gazetarja – Çfarë ju bën të ndieni të sigurtë në shesh xhirim?

Blerim Destani – Zakonisht thuhet që udhëtari që është nisur për diku dhe e di rrugën për tek caku  i vet, ai e ka më të lehtë udhëtimin, pasi nuk ec nëpër rrugë të panjohur.  Unë gjatë pregatitjeve mundohem maksimalisht që të panjohurat në rrugën e rolit tim t’i zgjidh dhe ta kem rrugën sa më të qartë.

Gazetarja – Ç’ju bën të buzëqëshni sapo zgjoheni nga gjumi?

Blerim Destani – Ndonjë përjetim i mirë që më ngel në kujtesë.

Gazetarja – Sa jeni i afërt me fansat tuaj? Ju ndihmojnë paksa rrjetet sociale dhe cilat prej tyre i përdorni më shumë?

Blerim Destani – Edhe pse nuk kam shumë kohë, mundohem maksimalisht të jem sa më komunikativ me ta. Kjo është edhe një përgjegjësi pasi fansat presin projekte dhe suksese të reja.

Gazetarja – Më shumë dhurata dhe komplimente merrni nga fansat apo fanset?

Blerim Destani – Besoj që e dini përgjigjen e kësaj pyetjeje.

Gazetarja – Na i përshkruani karakterin e Blerimit në  jetën e përditshme!

Blerim Destani – Unë jam një njeri i zakonshëm që pasionin më të madh të jetës e ka profesion të jetës dhe që e pëlqen jetën dhe bukuritë e jetës.

Gazetarja – Mendoni që jeni si ambasador kulture për qytetin e Tetovës?

Blerim Destani – Këtë ma kanë thënë në shumë raste bashkëqytetarët e mi të Tetovës dhe ky fakt më bën të lumtur.

Gazetarja – Vazhdoni të shoqëroheni shpesh me Tunën  në Monaco, Prishtinë , Shkup, ka diçka mes jush ?

Blerim Destani – Në parim nuk dua të flas për tema të tilla.  

Gazetarja – Me cilën notë prej 1 deri ne 10 do ta vlersonit kinematografinë shqiptare në përgjithsi?

Blerim Destani – Me notën 7 (shtatë).

Gazetarja – Sa e gjeni veten në shfaqjet teatrale? Keni menduar të jeni pjesë e tyre ndonjëherë?

Blerim Destani – Do më pëlqente të luaj në teatër. Në një të ardhme të afërt edhe do e sprovoj veten në skenë.

Gazetarja – Çfarë ju prêt pas këtij projekti? Diçka e re qe do na i zbuloni apo i lëmë surprizat për intervistën e rradhës?

Blerim Destani – Nuk preferoj të flas për plane, por për vepra të realizuara. Në intervistën e rradhës do flasim për projektet që tani jam duke i realizuar.

Intervistoi: Liridona Kuçi – Shqipmedia