Bisedimet izraelito-palestineze

Bisedimet izraelito-palestineze

Bisedimet izraelito-palestinezeKryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu tha sot se pret që bisedimet e paqes me palestinezët të jenë të vështira, madje shtoi se çdo marrëveshje e arritur duhet të ratifikohet me anë të një referendumi kombëtar. Komentet e tij pasuan marrëveshjen me ndërmjetësimin amerikan për rifillimin e bisedimeve të paqes mes dy palëve, të cilat u ndërprenë në vitin 2010. Kufijtë, refugjatët, siguria, vendbanimet hebraike dhe statusi i Jeruzalemit janë mes çështjeve të vështira, ende të pazgjidhura.

Kryeministri Netanyahu i bëri komentet në takimin e përjavshëm të kabinetit të tij, komentet e tij të para në publik që kur Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry njoftoi rifillimin e bisedimeve të paqes gjatë fundjavës, duke i dhënë fund bllokimit të tyre.

“Mes objektivave, që po caktoj për këtë proces është parandalimi i krijimit të një shteti dy kombësish mes Lumit të Jordanisë dhe Detit Mesdhe si dhe parandalimin e krijimit të një shteti tjetër terrorist të sponzorizuar nga Irani”, tha kryeministri Netanyahu.

Negociatat për statusin final synojnë arritjen e një marrëveshjeje mbi çështjet themelore të konfliktit izraelito-palestinez, përfshirë kufijtë, fatin e refugjatëve palestinezë dhe marrëveshjet e sigurisë.Palestinezët thonë se bisedimet do të bazohen në kufijtë e Izraelit para luftës së vitit 1967.

Pas një misioni intensiv diplomatik, Sekretari Kerry njoftoi të premten vonë planet për rifillimin e negociatave, pas takimit që pati me Presidentin palestinez, Mahmoud Abbas. Ai tha se disa hollësi ende po hartohen, por nëse të dyja palët bien dakord për çdo gjë, zyrtarët palestinezë dhe izraelitë do të vijnë në Uashington për bisedimet fillestare brënda një ose dy javësh.

“Në këtë proces, mes palestinezëve, izraelitëve dhe amerikanëve, pala më e dobët janë palestinezët”, tha analisti politik palestinez, Samir Awad.

“Presioni nga amerikanët është kryesisht mbi palestinezët që të pranojnë ndërmjetësimin amerikan dhe kushtet izraelite. Unë e shikoj këtë skenar, pak a shumë, si të disfavorshëm për palestinezët”.

Të dyja palët do të takohen, ndoshta këtë javë, për të finalizuar hollësitë e bisedimeve lidhur me çështjet më të vështira të konfliktit izraelito-palestinez.