biblioteka_2208111109_1

Biblioteka moderne e kryeqytetit pret lexuesit tek në 2012-n

Shtëpia e re e “Hivzi Sylejmanit” do të përfundojë së ndërtuari në tetor të këtij viti. Në objektin modern të destinuar për bibliotekë të kryeqytetit aktualisht është duke u punuar me pamjen e jashtme. Rreth 1.5 milionë euro është vlera që Komunës së Prishtinës i ka kushtuar ky objekt deri në këtë pikë. Ndërkohë, në buxhetin e vitit 2012 nga buxheti i komunës do të ndahen edhe rreth 1 milion euro të tjerë për inventarizimin e saj. Në këtë vit biblioteka e re do të ketë mundësi të presë lexuesit e parë. 

Në hapësirën prej 30 arësh, në lagjen “Dardania” të kryeqytetit afër shkollës fillore “Xhemail Mustafa” objekti i ri i bibliotekës “Hivzi Sylejmani” do të ketë rreth 5 mijë metra katrorë e që do të sistemohet në 3 kate. Por hapësira e re do të kërkojë edhe angazhim shtesë të stafit në këtë institucion. I pari i bibliotekës së kryeqytetit, Munish Hyseni, ka thënë se për të arritur shërbimet e nevojshme për këtë hapësirë do t’i duhen së paku edhe 6 deri 8 punëtorë të rinj.

“Besoj se diçka në të mirë të kësaj do të ndodhë, sepse shtohen edhe obligimet, edhe hapësirat, edhe lexuesit dhe besoj se do të kenë mirëkuptim”, ka thënë Hyseni.

Sipas raportit të fundi të Ministrisë së Financave, Komuna e Prishtinës ka tejkaluar për 8 persona numrin e të punësuarve. Futja në listë të pagave të punëtorëve të rinj është thuajse e pamundur për komunën.

Por, zëdhënësi i Komunës së Prishtinës, Muhamet Gashi, ka thënë se deri sa të arrijë puna për të pasur nevojë për punëtorë të rinj për bibliotekën, është ende herët.

“Vitin tjetër ata duhet të bëjnë kërkesën në ministritë përkatëse dhe besoj se ajo do të miratohet”, ka thënë Gashi.

Ndryshe, Munish Hyseni ka thënë se Biblioteka që ai drejton ka mjaft libra, por është e nevojshme që ajo të freskohet me më shumë literaturë, me të dalë në objektin e ri.

“Libra gjithsesi se ka nevojë, por këta dy-tre vjetët e fundit komuna ka financuar blerjen e librit. Vitin e kaluar kemi pasur në dispozicion 30 mijë euro për blerjen e librit. Jemi në përcjellje të botimeve të reja të shtëpive botuese në Kosovë, Maqedoni dhe Shqipëri”, ka thënë Munishi.

Ai ka bindjen se me këtë objekt do të zgjidhet problemi i bibliotekës.

“Ky objekt është i një rëndësie të veçantë edhe për librin, edhe për lexuesit e saj, por edhe për të gjithë qytetarët”, ka thënë Munishi.

Vlora Dumoshi, drejtoreshë e Departamentit të Kulturës në Komunën e Prishtinës, ka bindjen se një objekt sy ky në të cilin ka investuar komuna, i është dashur kryeqytetit.

“Prishtina nuk ka pasur një bibliotekë të saj. Biblioteka Kombëtare dhe Universitare ka tjetër funksion”, ka thënë Dumoshi. Ajo ka treguar se për përfundimin e këtij objekti kanë mbetur vetëm një pjesë e fasadës së jashtme dhe disa detaje të punëve të brendshme.

“Jemi duke planifikuar buxhetin për vitin e ardhshëm, dhe në bazë të tij do të vendosim për shumën që do të ndajmë për inventarizim”, ka thënë Dumoshi.

Ndërtimi i këtij objekti ishte përmendur që në vitin 2007, por pas zvarritjes gjatë “hulumtimit për terren” dhe “procedurave burokratike” – që ishin përmendur si shkak për mosnisjen e punimeve për ndërtimin e saj – pushteti lokal ka vendosur të bëjë hapat konkretë vitin e kaluar. Arsye për vonesën e saj ishte përmendur edhe mospërcaktimi për vendin ku do të ndërtohej ky objekt. Objekti i ri do të ketë edhe një tjetër funksion.

“Do të shfrytëzohet edhe për koncerte kamertale, një hapësirë që deri tash i ka munguar Prishtinës”, ka përfunduar Dumoshi.