ramush_haradiaj

Beteja e dytë

Rigjykimi ndaj Ramush Haradinajt fillon këtë javë, pas një zvarritjeje të gjatë. Në një prononcim për Express, avokati Michael O’Railly është i bindur se Haradinaj do të shpallet i pafajshëm. Ai shpreson se beteja e dytë e liderit të AAK-së me Hagën do të përfundojë në nëntor ose dhjetor. Pafajësi për Haradinajn pret edhe partia e tij.

“Ramush Haradinaj do të shpallet i pafajshëm”, ka thënë O’Railly, të dielën për Express, në një prononcim përmes telefonit.

Edhe partia e Haradinajt beson në pafajësi të liderit të saj.

“Ne besojmë në drejtësi dhe duke besuar në të, jemi të bindur se Ramush Haradinaj do të shpallet i pafajshëm”, ka thënë Besnik Tahiri, anëtar i Kryesisë së AAK-së.

Avokati Michael O’Railly thotë se nuk ka asnjë fakt që implikon Ramush Haradinaj në akuzat për të cilat pretendon Prokuroria e Tribunalit.

“Nuk besoj se ka ndonjë fakt kundër tij, për shkak se të gjitha faktet në gjykimin e parë kanë treguar se nuk ka fakte kundër tij dhe se sjellja e tij gjatë gjithë kohës ka qenë shembullore, jashtëzakonisht e mirë. Nuk ka asnjë fakt të vetëm që ai është sjellë keq lidhur me ndonjë nga incidentet që përmenden në aktakuzë”, ka thënë ai.
Ish’Komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) për Zonën Operative të Dukagjinit do të rigjykohet sërish në Tribunalin e Hagës.

Seanca e parë e procesit gjyqësor mbahet këtë të enjte. Një ditë më herët, të mërkurën, mbahet e ashtuquajtura konferencë paragjyqësore, në të cilën mund të jepen hollësi për numrin e dëshmitarëve që mund t’i sjellë Prokuroria.

Haradinaj dhe dy bashkëluftëtarët e tij, Lahi Brahimaj dhe Idriz Balaj do të gjykohen në Hagë për herë të dytë, gjë që nuk ka ndodhur me asnjë rast tjetër në Tribunalin e themeluar nga Kombet e Bashkuara.

Rreth dy vjet e gjysmë pasi ishte shpallur i pafajshëm nga gjitha akuzat për krime lufte, Haradinaj sërish ka udhëtuar vullnetarisht në Hagë, për rigjykim. Ai ndodhet në qendrën e paraburgimit që nga 21 korriku 2010. Rigjykimi i pjesshëm ndaj tre luftëtarëve të UÇK-së u shpall një ditë para vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Për dallim nga gjykimi i parë, Tribunali kësaj here ka qenë i ashpër ndaj Haradinajt. Pavarësisht garancive nga institucione ndërkombëtare, etj, atij nuk iu lejua asnjë ditë të kthehet përkohësisht në shtëpinë e tij në Prishtinë, madje as kur i lindi fëmija, në janar të këtij viti.