|

Berlini për dhjetë ditë “Meka e filmit”

Vitin e kaluar drama iraniane “A Separation” nga një film lokal u bë i njohur në gjithë botën.

Një vit pasi bëri namin në Berlinale, i njëjti film është favorit për të fituar çmimin “Oscar” për filmin më të mirë të huaj. Festivali, i cili u jep famë atyre që kanë një fije kapacitet artistik, do të nisë sot (e enjte) për të vazhduar deri më 19 të këtij muaji.

Me një pjesëmarrje prej më shumë se 20 vendeve të botës, me 395 filma në program dhe me më shumë se 200 mijë bileta në shitje, edicioni i 69-të i Berlinales edhe këtë vit do të jetë ngjarja më e madhe e filmit në Evropë. Vetëm këtë vit janë paraparë tetëmbëdhjetë premiera botërore, të cilat do të konkurrojnë për “Ariun e artë”, por pa asnjë përjashtim lista e dokumentarëve, filmave eksperimentalë dhe atyre të shkurtër është mjaft e pasur. Llojllojshmëria e filmave që kanë kaluar në një filtër jo edhe aq të sheshtë, për kritikët e filmit është një rrezik, raporton “Reuters”. Sipas kritikës, mbajtja e shpresave se filmat mund të “dhezin” aksidentalisht, është e vlefshme për Berlinalen. Mirëpo kjo mund t’ia shkundë reputacionin e një festivali që është më konservator në programin e filmave, krahasuar me festivalet e tjera. E ky program i pasur këtë vit do të fillojë me premierën e “Farewell My Queen” me Diane Kruger në rolin kryesor që personifikon Marie Antoniette.

“Është interesante teksa sheh regjisorë të rinj të cilët vijnë në Berlinale për të paraqitur filmin e tyre të dytë në karrierë”, ka thënë Jay Weissberg, kritik veteran i filmit në Berlinale, që shkruan për “Variety”. Sipas tij, festivali këto vitet e fundit nuk po duket se e ka marrë aq seriozisht programin.

“Ose kjo mund të nënkuptojë se Berlinale po përpiqet që të jetë më moderne”, ka thënë ai për “The Guardian”.

Sipas tij, kjo shpjegohet me zgjidhjen e filmave në garën ndërkombëtare dhe në mënyrën se si është bërë organizimi i ngjarjeve brenda festivalit. Organizatorët e Berlinales, kryesuar nga regjisori Dietet Kosslick, mund të jenë të gëzuar që në fund të festivalit të zbulojnë ndonjë perlë të kinematografisë sikurse ka ndodhur vitin e kaluar kur “A Separation” mori “Ariun e artë” për filmin më të mirë. Sipas gazetës gjermane “Bild”, me këtë stil Berlinale ka vepruar edhe në vitin 2011, kur “Ariu i artë” iu dha filmit turk “Honey”. Me të njëjtin çmim në vitin 2009 ishte nderuar edhe filmi peruan “The Milk of Sorrow”, më 2008 filmi brazilian “The Elite Squad”, më 2007 filmi kinez “Tuya’s Marriage” dhe në vitin 2006 kishte triumfuar filmi nga Bosnja “Grbavica”.

Por asnjë nga këta filma nuk kishte fituar ndonjë çmim tjetër në ndonjë festival të kategorisë së Berlinales.

Por jashtë kësaj, Berlini megjithatë është një vend për filmdashësit. Sipas gazetës angleze “Daily Mail”, jo më larg se 50 metra larg sheshit “Potsdamer”, ku gjenden “CinemaxX” dhe “Cinestar”, dy kinematë kryesore të festivalit, ka nisur festa. Aty afër është edhe objekti kryesor ku edhe zhvillohet ai që njihet si “pazari i Berlinales”. Në këtë hapësirë prezantohet kinematografia e shumë shteteve të botës.

Këtë vit, për herë të parë në historinë e saj, prezantohet edhe Qendra Kinematografike e Kosovës. Tashmë drejtori i QKK-së, Fatos Berisha, dhe kryetari i Bordit të QKK-së, Arben Zharku, kanë zënë vend në stendën e tyre. Nga postimet që i kanë bërë në rrjetin “Facebook”, shihen edhe fotografitë e stendës së QKK-së në Berlinale. Aty janë vendosur posterët e filmave të rinj të subvencionuar nga QKK-ja si “Kodi i Jetës” nga Ekrem Kryeziu e “Kolona” nga regjisori Ujkan Hysaj. Filmi i Hysajt dhe “Shkurta” i Arzana Krajës nuk janë pranuar në kategorinë e filmave të shkurtër, ani pse ishin paraseleksionuar. E në këtë stendë shihet edhe një poster i madh ku shkruan “Kosovo the young Europeans”, moto e fushatës që mëton të reklamojë kosovarët si evropianë të rinj.

Por këtë vit në Berlinale do të ketë me shumicë evropianë “dem baba dem”. E shumica e njerëzve në Berlinale janë të interesuar për një kategori tjetër mysafirësh. Ata janë yjet e filmit. Sipas “The Guardian”, në mesin e atyre që këtë vit do të vijnë në Berlin e që do të konkurrojnë për “Ariun e artë” janë francezi Frederic Videau me “Coming Home”, greku Spiros Stathoulopoulos me “Meteora” dhe franko-zvicerania Ursula Meier që do të prezantojë filmin e saj “Sister”. Regjisorët Miguel Gomes nga Protugalia me “Tabu” dhe Alain Gomis nga Senegali që jeton në France me filmin “Today” janë në garë ndërkombëtare përderisa kanë përvojë si regjisorë me vetëm tre filma. Në natën e hapjes së festivalit Meryl Streep, do të marrë çmimin për arritje jetësore që ia ka vënë kapakun me rolin e saj në filmin “Iron Lady”. Gjashtëdhjetedyvjeçarja Streep, me këtë rol është e nominuar edhe për “Oscar” si aktorja më e mirë në rolin kryesor. Në anën tjetër Angelina Jolie do të paraqesë historinë boshnjake të luftës me filmin “In the Land of Blood and Honey”, teksa filmi i nominuar për “Oscar” “Extremely Loud and Incredibly Close” dhe ai i Steven Soderbergh, “Haywire” do të shfaqen në një projeksion special, në mes të festivalit. Këtë vit në Berlinale nuk do të mungojnë as yjet nga Bollivudi. Si asnjë vit më parë, këtë herë Berlinale do të shfaq edhe filma me temë nga lufta e politika si dhe një seksion filmash do t’ia kushtojë edhe kapjen filmike të kryengritjes së njohur si “pranvera arabe”.

“Kjo ka për qëllim që të shpërfaqim turbullira e nëpërmjet këtyre të thërrasim zgjimin”, ka thënë Kosslick. Por drejtori i festivalit duhet të jetë megjithatë më syçelë që të shkaktojë “zgjimin”, të cilin po e kërkojnë kritikët e festivalit.

Etiketa:

Komentoni