7

Berisha: Shqipëria këtë vit ka pritur, më shumë turistë, se sa banorë që ka brenda saj

7Nën drejtimin e kryeministrit Sali Berisha u zhvillua sot, mbledhja e radhës e Këshillit të Ministrave, gjatë së cilës Kryeministri u ndal në buxhetin e vitit 2011.

Kryeministri Berisha, kërkoi nga ministritë, që krahas hartimit të buxhetit, në përputhje me strategjitë sektoriale të miratuara, të bëhet riorientimi mëtejshëm i resurseve buxhetore drejt industrisë turistike dhe turizmit.

“Turizmi është bërë me një shpejtësi maramendesë, një ndër degët më kryesore të kësaj ekonomie dhe kjo brenda një kohe shumë të shkurtër. Këtë vit rritja e vizitorëve krahasuar me vitin 2004 mund të arrijë në 12 herë. Ky do të jetë viti i parë, në historinë e këtij vendi, që Shqipëria ka pritur më shumë vizitorë, se çka banorë brenda saj.

Ky është një lajm jashtëzakonisht pozitiv. Por, përpjekjet e bëra sigurisht kanë qenë të shumta. Investime masive janë adresuar në zonat turistike nga Velipoja deri në Ksamil. Këto investime ne tërësi në infrastrukturë tejkalojnë 1 miliard euro”.

Duke e vlerësuar zhvillimin e turizmit këtë vit si një burim shumë të rëndësishëm të ardhurash për ekonominë, Kryeministri u shpreh se ky fenomen jashtëzakonisht pozitiv duhet të ridimensionojë tërësisht qëndrimin e agjencive përkatëse dhe ministrive për një rritje të mëtejshme të tij.

Në këtë kontekst, kryeministri kërkoi që në buxhetin e viti 2011 të parashikohet përfundimi i të gjitha impianteve të përpunimit të ujrave, të cilat janë në ndërtim e sipër, në të gjitha zonat turistike.

Gjithashtu për sa i përket infrastrukturës, Kryeministri kërkoi të parashikohen të gjitha resurset për kompletimin përfundimtar të saj, jo vetëm drejt zonave turistike, por gjithashtu drejt parqeve arkeologjike, zonave historike, në mënyrë që vizitorët t’i gjejnë sa më lehtë ato.

“Çdo vizitor i huaj që vjen në Shqipëri do të donte të kishte mundësi të vizitonte Beratin , Butrintin, Gjirokastrën, pasi këto janë vende tashmë të njohura, për pasurinë e tyre në fondin botëror të kulturës. Në këtë kontekst, duhet të ecim përpara me rrugët, në mënyrë ky fluks I madh vizitorësh ti gjejë dhe ti arrijë sa më lehtë këto vende.”

Në fjalën e tij, kryeministri Berisha u shpreh:

“Sot rendi i ditës ka një seri çështjesh, por unë dua të ndalem në një çështje kryesore, një detyrim madhor i cili është buxheti i vitit 2011. Ju sigurisht që keni strategjitë e sektorëve, të cilave duhet ti përmbaheni në hartimin e buxhetit.

Pra buxhetin duhet ta hartoni në përputhje me strategjitë që ju keni miratuar, por kërkesa ime shumë e veçantë eshtë riorientimi i mëtejshëm i resurseve buxhetore drejt industrisë së turistike dhe turizmit.

Turizmi është bërë me një shpejtësi marramendesë, një ndër degët më kryesore të kësaj ekonomie dhe kjo brenda një kohe shumë të shkurtër. Këtë vit, rritja e vizitorëve krahasuar me vitin 2004 mund të arrijë në 12 herë. Ky do të jetë viti i parë në historinë e këtij vendi, që Shqipëria ka pritur më shumë vizitorë se çka banorë brenda saj.

Ky është një lajm jashtëzakonisht pozitiv. Por përpjekjet e bëra sigurisht kanë qenë të shumta. Investime masive janë adresuar në zonat turistike nga Velipoja deri në Ksamil. Këto investime ne tërësi në infrastrukturë tejkalojnë 1 miliard euro. Megjithatë rritja është marramendëse çka do të thotë që secila ministri të investojë në fuqizimin dhe zhvillimin e kapacitetve turistike të vendit. Ky është një problem shumë kompleks.

Ky është një problem, i cili duhet ridimensionojë tërësisht qëndrimin e agjencive tona, ministrive tona, ndaj këtij fenomeni jashtëzakonisht pozitiv. Është një burim të ardhurash jashtëzakonisht pozitiv për ekonominë. Përpjekjet kanë qenë serioze dhe të mëdha, nga të gjitha agjencitë dhe institucionet dhe pse duhet të njohin rritje të shpejtë dhe konsolidim të madh.

Prandaj dhe në buxhetet tuaja duhet të parashikoni dhe përparësoni çdo problem që lidhet me turizmin. Duhet të përparësojë mjedisi, duhet të përparësojë shëndetësia, bujqësia. Duhet të përparësojë dhe ka përparësuar ministria e Punëve Publike, Ministria e brendshme, Ministria e Financave dhe të gjitha ministritë.

Këtë vit, Shqipëria pret më shumë vizitorë se cka banorë të përhershëm dhe unë ju garantoj që kjo rritje nuk do të ketë të ndalur. Kjo ka shumë faktorë. Së pari, imazhi që po krijojmë në tërësinë e vet është shumë pozitiv, me disa përjashtime sigurisht.

Por, një nga gjërat më të vlerësuara janë dhe çmimet e arsyeshme që kanë vendosur pronarët e hoteleve, apartamenteve dhe me këtë i japin një kontribut të madh vendit, pasi kanë bërë që qytetet tona të mbushen me vizitorë. Këtu ka ndikuar edhe ushqimi shumë I shijshëm.

Në një udhëtim që ka bërë në Perandorinë otomane, Andrè Zhid (Gide) shkruajti për vendin tonë: “aty gjeta dy gjera më impresionuese, njëra ishte ushqimi i shijshëm dhe tjetra ishin burrat e bukur.” Kur e lexova për herë të parë, shumë e shumë vite me parë, mendova se shqiptarët nga fanatizmi nuk i kishin nxjerrë gratë, kur u thellova me tej zbulova se ai kishte qenë gej.

Le të përpiqemi, pra që në këtë buxhet zërat për turizmin ti fuqizojmë sa më shumë. Në këtë buxhet të parashikojmë përfundimin e të gjitha impianteve të përpunimit të ujrave, të cilat fatmirësisht janë në ndërtim e sipër, në të gjitha qendrat e mëdha turistike të vendit.

Në këtë buxhet të parashikojmë të gjitha resurset për kompletimin përfundimtar të infrastrukturës, jo vetëm drejt zonave turistike, por gjithashtu edhe drejt parqeve arkeologjike, drejt zonave historike, në mënyrë që ky fluks i madh vizitorësh ti gjejë sa më lehtë ato. Në këtë kontekst, një porosi të veçantë kam për Beratin. Boshti i Jugut po vazhdon, por dhe segmenti Lushnje- Berat duhet të jetë përparësi madhore e muajve që vijnë sepse Berati është në hartën e trashëgimive kulturore botërore.

Çdo vizitor i huaj që vjen në Shqipëri do të donte të kishte mundësi të vizitonte Beratin, Butrintin, Gjirokastrën pasi këto janë vende tashmë të njohura për pasurinë e tyre, në fondin botëror të kulturës. Kështu që duhet të përparësojmë. Duhet të përparësojmë edhe për atë rrugë, ndërkohë që punimet duhet të vazhdojnë për boshtin e Jugut.

Edhe njëherë dua të falënderoj të gjitha ata që janë angazhuar me një mikpritje të shkëlqyer ndaj të ardhurve dhe ti garantoj se do të bëjmë çdo gjë për ta përmirësuar edhe më tej situatën.

Dua të theksoj edhe njëherë se nga data 18 qershor deri në datën 16 gusht tuneli I Kalimashit është kaluar nga 518 mijë automjete, në një hark kohor dy mujor, pra një efekt pothuaj magjik, pasi magjia nuk qëndron vetëm në mistere. Ajo qëndron edhe në gjëra jo misterioze”.