Berisha: Rama dhe Kokëdhima i bënë shantazh institucioneve

Berisha: Rama dhe Kokëdhima i bënë shantazh institucioneve

Berisha: Rama dhe Kokëdhima i bënë shantazh institucioneve Kryeministri në largim Sali Berisha reagoi pas kritikave të pasardhësit të tij të pritshëm Edi Rama ndaj Presidentit, Kryeprokurorit dhe Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë

Kryeministri në detyrë Sali Berisha ka zgjedhur të replikojë në distancë me pasuesin e tij në këtë detyrë Edi Rama. Përmes një mesazhi të publikuar në rrjetin social Facebook, Berisha akuzoi atë që e cilëson dyshe Rama-Kokëdhima se po vazhdon revanshin e pandalshëm dhe kërcënimet vulgare ndaj institucioneve të vendit.

Berisha u ndal konkretisht tek ftesa e Ramës për hapjen e administratës shtetërore ndaj atyre që dëshirojnë të kontribuojnë për jetësimin e atij çka e cilëson projekt të rilindjes kombëtare.

“Dje ata, me Twitter, hapën tenderin për fshesën e administratës. Sot në fjalën e tij zoti Rama kërcënoi Presidentin me 84 votat e tij, pasi nuk arriti të konsolidojë projektin aventuror për shkarkimin antikushtetues të Presidentit dhe heqjen së paku të tij nga kryetar i KLD-se dhe vendosjen e këtij institucioni nën drejtimin e kryeministrit”, u shpreh Berisha.

Duke ju referuar kërkesës publike të Ramës që qeveria aktuale të mos marrë vendime në dy muajt e fundit të pushtetit por të shërbejë si një qeveri kujdestarie, Berisha e cilësoi kërcënim.

“Sulmon dhe kërcënon qeverinë sepse ai beson se ata kanë marrë një mandat për 4 vjet e tre muaj. Sulmoi dhe kërcënoi Prokurorinë sepse ëndërron rikthimin e tregtarëve të dosjeve dhe militantëve të PS që e kishin shndërruar atë në një repart fanatik të PS”, u shpreh Berisha.

Kreu i qeverisë së djathtë u ndal edhe tek takimet e fundit të Ramës me krerët e lartë të shtetit mes të cilëve edhe Guvernatorin Ardian Fullani duke nënvizuar se nuk mund ti ngarkohen detyra Guvernatorit pasi Banka është e shtetit dhe jo qeverisë.

“Programin ia ka besuar Beqës dhe Yllit, ndërsa për Koçon dhe veten kanë zgjedhur sulmin, revanshin ndaj institucioneve kushtetuese dhe çdo gjëje jo socialiste. Asgjë të papritur as dhe për t’u çuditur nga çifti Rama – Kokëdhima. Shkodranët e kanë një shprehje: “tash po ju kalon vedi!”, ironizoi Berisha.