16eliza_1608111556_1

Berisha i dorëzon Dushkut pasaportën

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, i ka dorëzuar sot aktores Eliza Dushku pasaportën shqiptare.

Derisa i ka dorëzuar pasaportën biometrike, kryeministri ka shprehur kënaqësinë që aktorja e mirënjohur është pjesë e projektit për realizimin e dokumentarit që promovon Shqipërinë turistike, historinë, traditat dhe potencialet e saj.

Ndërkohe vetë aktorja është shprehur se ndjehej krenare që tashmë zotëronte edhe pasaportën shqiptare. Sipas njoftimit te kryeministrisë, Dushku e njohu Kryeministrin me vizitat që ajo kishte zhvilluar në disa qytete të vendit, nga jugu në veri dhe impresionet e saj gjatë këtij udhëtimi, të cilin ajo e cilësoi mbresëlënës dhe që i mundësoi të njihej me natyrën, historinë, traditat, artin dhe kulturën shqiptare.

Kreu i qeverise ka vlerësuar peizazhin unik që ofron vendi, ku ndërthuren malet me detin dhe liqenet, duke e bere kësisoj një destinacion gjithnjë e më i preferuar për turistët e huaj.

“Ne kemi bërë investime të mëdha për të mbështetur zhvillimin e turizmit në infrastrukturën rrugore, sikundër po ndërtojmë impiante të fuqishme për pastrimin e ujërave, kemi ndërmarrë nisma fiskale për përjashtimin nga taksat për një periudhë disavjeçare për ata që investojnë në zonat turistike malore dhe do të vazhdojmë të bëjmë gjithçka që bukuritë shqiptare të bëhen gjithnjë e më të prekshme për këdo” , ka thëne kryeministri gjatë takimit me Dushkun.