Beqiraj_99527_thumb_large

Beqiraj e Ademi në Champions

Dinamo Zagrebi e Fatos Beqirajt e e Arijan Ademit, është kualifikuar në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve, edhe pse pësoi humbje në ndeshjen e kthimit të barazhit nga Malmo e Agon Mehmetit e Dardan Rexhepit. Ndërsa nga kjo garë janë eliminuar Odense e Bashkim Kadrit dhe Zurichu i Admir Mehmedit e Adrian Nikçit.

Fatos Beqiraj dhe Arijan Ademi janë futbollistët e tjerë shqiptarë që janë kualifikuar në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve. Kjo pasi skuadra e tyre, Dinamo e Zagrebit e ka eliminuar në fazën e barazhit Malmon, për të cilën skuadër luajnë dy futbollistët e tjerë nga Kosova, Agon Mehmeti e Dardan Rexhepi.

Në fakt, takimi i dytë mes Malmos e Dinamos së Zagrebit ka përfunduar me rezultat 2:0, për ekipin suedez. Por, kroatët arritën të kualifikohen falë fitores që e kishin shënuar në ndeshjen e parë në Zagreb me rezultat 4:1.

Në takimin e dytë, i cili u zhvillua të martën mbrëma, Beqiraj ishte titullar. Por, sulmuesi pejan u zëvendësua në minutën e 56-të nga Kovacic. Kurse, Ademi nuk kishte udhëtuar fare me ekipin drejt Suedisë.

Në anën tjetër, për Malmon nga fillimi i ndeshjes luajti Mehmeti, por sulmuesi u zëvendësua në minutën e 78-të nga bashkëvendësi i tij, Rexhepi.

Ndërsa, Odenses së Bashkim Kadrit nuk i ka mjaftuar fitorja prej 1:0 nga ndeshja e parë për ta eliminuar Villarrealin. Në ndeshjen e kthimit, spanjollët e mposhtën skuadrën daneze me rezultat bindës, 3:0, për t’u bërë kështu pjesë e garës më prestigjioze evropiane.

Mesfushori ofanziv i ri shqiptar ishte titullar në këtë takim. Mirëpo, Kadri u përjashtua nga loja në minutën e 71-të pasi u ndëshkua për të dytën herë me karton të verdhë.

Kurse, Zurich, ku luajnë Admir Mehmedi e Adrian Nikçi, është mposhtur edhe në ndeshjen e dytë nga Bayern Munichu me rezultat 0:1. Kështu, skuadra zvicerane nuk ia doli ta sigurojë pjesëmarrjen në garën më atraktive të kontinentit të vjetër. Sulmuesi shqiptar nga Maqedonia, Admir Mehmedi ishte titullar në këtë takim, por u zëvendësua në minutën e 78-të nga Drmic. Kurse, Nikçi nuk është inkuadruar fare në këtë takim.

Kështu, Fatos Beqiraj e Arijan Ademi në Ligën e Kampionëve do ta gjejnë Napolin e Blerim Xhemajlit dhe Baselin e Xherdan Shaqirit, Taulant e Granit Xhakës.