Beogradi dhe Prishtina për asociacionin e komunave serbe

Beogradi dhe Prishtina për asociacionin e komunave serbe

Beogradi dhe Prishtina për asociacionin e komunave serbePrishtina zyrtare thotë se asociacioni i komunave me shumicë serbe mund të themelohet duke respektuar ligjet e Kosovës.

Qeveria e Serbisë është duke e hartuar një statut për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Kjo për faktin që sapo të krijohen institucionet e Kosovës, statuti i asociacionit të komunave me shumicë serbe i hartuar nga qeveria e Beogradit të jetë në tavolinën e bisedimeve Prishtinë-Beograd.

Kështu ka deklaruar për mediat lokale në Prishtinë shefi i zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.

Ai ka thënë për DW se “për detajet e statutit do të flitet me shqiptarët dhe serbët”, por beson se sistemi shëndetësor dhe ai arsimor do të mbesin brenda sistemit të Serbisë.

“Kontribuuesit serbë të arsimit e të shëndetësisë në Kosovë paguhen nga Qeveria e Serbisë dhe Beogradi nuk e ka ndërmend ta ndalojë këtë. Kjo do të rregullohet edhe me anë të statutit të Asociacionit të Komunave serbe”, ka shtuar Gjuriq.

Në këtë mënyrë qeveria e Serbisë po kërkon marrëveshje politike me Prishtinën, ku shëndetësia dhe arsimi në komunat me shumicë serbe do të mbeteshin nën sistemin e Serbisë.

Qeveria e Kosovës nuk e ka komentuar këtë nismë të fundit të qeverisë së Serbisë, mirëpo në deklarimet e mëhershme, kryeministri Hashim Thaçi pati thënë se asociacioni i komunave me shumicë serbe mund të themelohet vetëm duke respektuar ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës.

Ideja për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe buron nga marrëveshja e 19 prillit 2013 Kosovë-Serbi për normalizimin e marrëdhënieve. Pas zgjedhjeve lokale të vitit 2013 serbët e Kosovës udhëheqin në dhjetë komuna të Kosovës.

Asociacioni i komunave me shumicë serbe, sipas një fjalimi të mëhershëm të kryeministrit Hashim Thaçi, përveç fushave të veprimit, që ndërlidhen me vetëqeverisjen lokale dhe në përputhje me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, mund të emërojë: një përfaqësues të vetin për anëtar të Bordit Zhvillimor për veriun e Kosovës.

”Ky fond akoma nuk është themeluar në tërësi”, mund të emërojë një përfaqësues të vetin për anëtar të Këshillit Presidencial për Komunitete, mund të mbajë kontakte, ose të krijojë partneritete me asociacionet e ngjashme në Serbi dhe vende të tjera, mund të koordinojë ndihmat financiare, që Serbia i dedikon për komunat me shumicë serbe në Kosovë, të cilat duhet të jenë transparente dhe vetëm brenda kompetencave të komunave, mund të aplikojë për fonde të BE-së dhe mund të grumbullojë fonde tjera për nevoja të projekteve infrastrukturore në nivel të komunave të tjera.

Beogradi akoma po mban gjallë strukturat paralele ne Kosovë. Sidoqoftë themelimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe do të jetë pjesë e dialogut të ardhshëm Kosovë-Serbi.

Naim Rashiti, analist i pavarur, i ka thënë DW-së se Beogradi megjithatë po vazhdon të operojë në Kosovë përmes disa institucioneve paralele. /Tribuna/