Bejleri: Edhe VIP-at kanë nevojë për Zotin

Bejleri: Edhe VIP-at kanë nevojë për Zotin

Bejleri: Edhe VIP-at kanë nevojë për ZotinKëngëtari Sidrit Bejleri, një nga emrat më të dashur të muzikës shqiptare e sidomos të performancave live, është një nga artistët më besimtar. Ai flet me dashuri për fenë dhe sigurisht për agjërimin. Siç i ka hije një myslimani të vërtetë, Sidriti rrëfen me përulësi për muajin e shenjtë.

Ai na tregoi se kur ka qenë në dasma apo në opera, Zoti ia ka larguar vështirësinë dhe ai s’e ka ndjerë aspak etjen apo urinë.

“Kam vite që agjëroj. U bënë rreth 7-8 vjet që unë agjëroj dhe e bëj me ndërgjegje të plotë, që e di se ç’është agjërimi”, shprehet Bejleri, i cili vijon më pas me ndalesat gjatë këtij muaji “Nuk duhet të nervozohesh, të shprehesh keq apo të ofendosh të tjerët. Ndalohet edhe marrëdhënia seksuale. Janë shumë frenime, dhe kështu duhet të jetë njeriu në të vërtetë. Këto 30 ditë të krijojnë një autokontroll. Gjatë këtij muaji njeriu mëson të kontrollojë epshet, shfryrjen e nervave. Nuk është kaq e kollajtë. Pra, nuk duhet perifrazuar vetëm me mungesën e ujit apo ushqimit”.

I pyetur në fund në lidhje me politikanët që agjërojnë këngëtari shkodran deklaroi: “Për mendimin tim nuk duhen ndarë në politikanë e artistë, sepse të gjithë janë rob të Zotit. Dhe kur them fjalën “rob” nënkuptoj krijesa të Tij. Duke qenë kështu, s’ka rëndësi profesioni apo posti. Një politikan apo një person VIP nuk është më i paprekshëm karshi Zotit. Të gjithë kanë nevojë njësoj për Zotin”.