Behgjet Pacolli: A shqetësohet kush në qeveri?

Behgjet Pacolli: A shqetësohet kush në qeveri?

Behgjet Pacolli: A shqetësohet kush në qeveri?Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli ka ngritur shqetësimin lidhur me sëmundjen ngjitëse, Tularemia. Ai ka shkruar në Facebook se kjo sëmundje na kërcënon të gjithëve, në gjithë territorin dhe duhet urgjentisht të destinohen më shumë burime për të parandaluar këtë sëmundje dhe të kursehen më shumë nga projektet tjera ku kostot janë shpesh jonormale.

Ja postimi i plotë i Pacollit në Facebook

Një sëmundje e shkaktuar nga rriqrat, brejtësit, nga uji i papastër ka arritur nivele shqetësuese në Kosovë, aq sa Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik e ka shpallur epidemi në nivel të Republikës.

Ajo që unë dua të pyes: A është kjo sëmundje e një vendi normal, me standarde pastërtie të ujit, me prani të kufizuar të brejtësve të egër- minjve, të rriqrave, të qenve endacakë në mjedise shtëpiake dhe urbane, etj? Sigurisht që jo!

A është ky një lajm i mirë ndërkombëtar për Kosovën? Sigurisht që jo!

Si shpjegohet që kjo epidemi, ka dy pike rritjeje, d.m.th dy periudha ku ka njohur rritjen më të madhe: 1999-2000 dhe 2014-2015, siç bëjnë të ditur institucionet e specializuara?

Nëse 1999-2000 ishin vite kur Kosova gjendej në luftë, dhe sapo doli nga lufta, kur kujdesi shëndetësor, parametrat e pastërtisë ishin të ulëta, pse edhe në këto muajt e fundit? Unë thjesht po pyes, sepse nuk jam specialist.

A shqetësohet kush në qeveri, në shoqërinë civile, në organizatat humanitare për të luftuar burimin e kësaj sëmundjeje që në origjinë?

Sikur nuk e ndjej këtë shqetësim, dhe më duket jo normale. Unë mendoj se ne duhet të vrasim mendjen shumë për këtë lajm të keq.

Ne duhet të kujdesemi shumë për jetën e të gjithë qytetarëve të Kosovës, pavarësisht varfërisë së tyre. Kjo sëmundje ngjitëse na kërcënon të gjithëve, në gjithë territorin, të gjitha moshat. Duhet urgjentisht të destinojmë më shumë burime për të parandaluar këtë sëmundje, apo të ngjashme me të, dhe të kursejmë më shumë nga projektet tjera ku kostot janë shpesh jonormale!!