BE-ja përgatit reagimin pas mendimit të GJND-së

BE-ja përgatit reagimin pas mendimit të GJND-së

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian do të diskutojnë të hënën për Kosovën dhe për mënyrën se si të koordinohet një politikë e përbashkët e BE-së pas shpalljes së mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë lidhur me ligjshmërinë shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Burime diplomatike të BE-së pohojnë se Serbia i ka refuzuar të gjitha idetë e BE-së dhe Serbia është gati për konfrontim me shumicën e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian pas mendimit të GJND-së.

Me gjithë paralajmërimet për pasoja, Serbia do të kërkojë debat dhe Rezolutë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së për negociata të reja për statusin e Kosovës.

BE-ja më shumë sesa konfrontimit me Serbinë, është në pozitë jo të mirë, sepse debati i ri për Kosovën do të nxjerrë në shesh edhe njëherë faktin se disa vende të BE-së janë më afër me Rusinë, Iranin, Libinë e Venezuelën, sesa me shumicën e vendeve anëtare kur bëhet fjalë për pavarësinë e Kosovës.

Situata rreth kësaj brenda BE-së është ngjashëm me kohën kur pritej të shpallja pavarësia e Kosovës dhe BE-ja bënte përpjekje për të pasur një reagim unik pas kësaj. /Koha Ditore/