BE inkurajon dialogun Kosovë-Serbi
Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian janë duke vazhduar takimin e tyre në Bruksel, në të cilin, gjatë drekës kanë diskutuar edhe për raportet në mes Kosovës dhe Serbisë.
Burimet të BE-së kanë pohuar për Radion Evropa e Lirë se nuk ka pasur ndonjë diskutim të gjatë për Kosovën, mirëpo është thënë nga shumë folës se Kosova dhe Serbia duhet të vazhdojnë dialogun dhe duhet të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash si dhe të punojnë edhe më shumë për marrëveshje të reja.
Për raportet në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe ecurinë e dialogut ka folur Catherine Ashton, Përfaqësuese e Lartë e BE-së për Siguri.
Zyrtarët e BE-së pohojnë se inkurajojnë Prishtinën dhe Beogradin që të vazhdojnë sa më parë dialogun dhe të vazhdojnë të jenë konstruktiv në këtë dialog.
Nga burimet diplomatike të BE-së, REL ka mësuar se shumë Ministra të Jashtëm kanë shprehur mendimin e tyre se Serbia është shumë afër për të marrë statusin e vendit kandidat.
Këtë e ka thënë publikisht të hënën gjatë takimeve edhe Ministri i Jashtëm i Austrisë, Michael Spindelegger, ndërsa këtu po qëndron edhe Ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiq./zeri/