BE hesht, veriu në rrezik

BE hesht, veriu në rrezik

BE hesht, veriu në rrezikKryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, duhet t’i braktisë bisedimet me Serbinë në momentin që në tavolinën e bisedimeve hedhet Platforma serbe për Kosovën, e cila në mes tjerash parasheh autonomi për veriun.

Të paktën këtë e kërkon opozita kosovare, sipas së cilës, nëse pranohet që të bisedohet platforma serbe, atëherë domosdoshmërisht diçka nga platforma do të pranohet nga Prishtina zyrtare, si “rregull” i çdo procesi të negociatave, shkruan “Zëri”.

Pas një jave, përkatësisht më 17 janar, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, do të takohet me kryeministrin serb, Ivica Dacic në Bruksel, ku siç është paralajmëruar nga baronesha Catherine Ashton, do të debatohet për veriun e vendit, ndonëse nuk janë dhënë specifika se për çfarë konkretisht do të bisedohet.

Ditëve të fundit mediet kanë raportuar se sikurse Beogradi edhe Prishtina zyrtare ka hartuar platformë për veriun, të cilën do ta prezantojë kryeministri Thaçi në takimin e ardhshëm në Bruksel, por kjo gjë është hedhur poshtë të martën nga zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, sipas të cilit, bisedimet do të zhvillohen në kuadër të Kushtetutës së Kosovës dhe Planit të Ahtisarit.

“Unë nuk kam informata të sakta për atë që ju po e thoni (platforma e Kosovës për veriun), ajo çka e them se çdo gjë që prezantohet nga Qeveria e Kosovës është në kuadër të Kushtetutës së Kosovës dhe pakos së presidentit Ahtisaari se edhe ajo pako ka qenë kompromis të gjithë e dimë ne”, ka thënë Kuçi.