BDI planifikon ndryshimin e ministrave

BDI planifikon ndryshimin e ministrave

Partia shqiptare në pushtet BDI planifikon ndërrimin e disa ministrave në kabinetin qeveritar, pas paralajmërimit për rikonstruim të qeverisë.

Gjatë muajit gusht është planifikuar rikonstruimi i pjesërishëm i kabinetit qeveritar dhe se për një marrëveshje të tillë janë dakorduar dy partitë e koalicionit VMRO-DPMNE dhe BDI.

Burime të larta partiake pranë BDI-së kanë theksuar për agjencinë e lajmeve INA se gjysma e ministrave shqiptare nga gjashtë ministrat shqiptar mund të largohen dhe të vijnë kuadro tjera.

“Po vijojnë debate për të rifreskuar radhët e dikastereve ministrore, mirëpo në plan të parë po shqyrtohet edhe mundësia e ndërrimit të ministrive me VMRO-DPMNE-në”, ka theksuar një funksionarë i lartë i BDI-së, duke shtuar se të gjithë ministrat mund të jenë pjesë e ndryshimit.

Zërat brenda kësaj partie theksojnë se ministrat që mund të ndërrohen janë: ministri i Pushtetit Lokal, Musa Xhaferi, ministri i Punës dhe Politikës Sociale Xhelal Bajrami, ministri i Ekonomisë, Fatmir Besimi, por edhe ministri i Ekologjisë, Nexhati Jakupi.

Dy javë më parë javorja maqedonase “Forum” duke u thirrur në burime pranë partisë së kryeministrit Nikolla Gruevski paralajmëroi rikonstruimin e kabinetit qeveritar gjatë muajit të ardhshëm.