BDI: PDSH mashtron, ne flasim me fakte
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka mbajtur konferencë për shtyp me qëllim të, siç thonë, konfirmimit të deklaratave të liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, si dhe zbardhjen e mashtrimit të opinionit nga ana e Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH).
Artan Grubi, nga partia Bashkimi Demokratik për Integrim deklaroi se i dënojnë ashpër ofendimet personale dhe zbritjen e nivelit të komunikimit publik nga ana e opozitës shqiptare dhe i ftoj ata që të veprojnë në përputhje me etikën e komunikimit publik si dhe të kursejnë opinion shqiptar nga banalitetet dhe gënjeshtrat.
“Shqiptarët e Maqedonisë, për 10 vite rresht, besimin e vet ia japin Ali Ahmetit dhe Bashkimit Demokratik për Integrim. E vetmja aleancë e BDIS-së dhe e Ali Ahmetit janë shqiptarët të cilët e dinë mirë se ne jemi burra të fjalës dhe të veprave të mëdha e jo të llafeve të zbrazëta. Realizimi mund të vonojë, por proceset e mëdha dhe të rëndësishme kërkojnë përkushtim, durim dhe besim. Shqiptarët vazhdojnë të kanë besim tek BDI për realizimin e proceseve kombëtare”, deklaroi Grubi.
Ai ndër të tjera theksoi se BDI dhe kryetari Ahmeti thirren në raportet e institucioneve të pavarura kur bëhet fjalë për përfaqësimin e drejtë dhe adekuat të shqiptarëve, ku sipas Avokatit të Popullit, numri i shqiptarëve në administratën shtetërore është rritur për 8956 shqiptarë nga viti 2008 gjer në vitin 2011, pa llogaritur konkurset e vitit 2012 dhe sipas këtij raporti, pjesëmarrja e shqiptarëve në institucionet shtetërore është 17.2 për qind ndërsa ajo e maqedonasve në tre vitet e fundit është zvogëluar për 5.14 për qind.