Bayerni fiton me 11-metërsha Superkupën e Europës

Bayerni fiton me 11-metërsha Superkupën e Europës

Bayerni fiton me 11-metërsha Superkupën e EuropësBayerni i Munichut ka arritur t’i hakmerret Chelseat duke e mposhtur në finalen e Superkupës së Evropës pas një ndeshje dramatike e cila u vendos në penalti.

Në Eden Park në Pragë të Çekisë ishin mbledhur rreth 35 mijë tifozë, shumica prej të cilëve të Bayernit, për të përcjellë supertakimin e vlefshëm 10 milionë euro.

Shaqiri nuk startoi ashtu sikurse Bastian Schweinsteiger, kurse Mourinho befasoi me inkuadrimin e David Luiz, të rikthyer nga lëndimi.

Ndeshja filloi shumë mirë për Blutë. Pas një aksioni të nisur nga Oscar, ishte Andre Schurrle ai që me mençuri asistoi te Fernando Torres, i cili me një gjysmëvolej maestral arriti të ralizonte për 1-0 (8’).

Bayerni sulmoi vazhdimisht gjatë pjesës së parë, kur Ribery u gjend disa herë në pozitë shënimi, ashtu sikurse edhe Muller, por bavarezët dështuan të shënonin, teksa në pjesën e pare rezultati mbeti i pandryshuar.

Në pjesën e dytë u zhvillua lojë fantastike. Me të filluar pjesa e dytë (47’) ishte Franck Ribery që pas një aksioni individual me një goditje të fuqishme nga distanca i tregoi Petr Cechit se pse është lojtari më i mirë në botë për rezultatin 1-1.

Bayerni vazhdoi me dominimin, por pas një gabimi të Alabas ishte Hazard që lëshoi një mundësi ideale, ashtu sikurse edhe Oscar që u gjend rrezikshëm një herë pranë zonës.

Edhe Bayerni me anë të Riberys dhe Robbenit u shfaq rrezikshëm në zonë me mbrojtjen e Chelseat që u tregua mjaft e fortë.

Chelsea në minutën e 85-të mbeti me një lojtar më pak kur Ramires u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë.

Në minutën e fundit ishte David Luiz ai që për pak sa nuk realizoi për fitoren e Chelseat kur goditjen e tij me kokë e ndali Manuel Neuer në formë të lartë në këtë takim.

Pas fituesi nuk u përcaktua në kohën e rregullt, u desh të zhvillohen vazhdimet.

Në vazhdime u zhvillua lojë e nxehtë. Përkundër disavantazhit numerik, Chelsea realizoi kur Eden Hazard kaloi Philipp Lahm dhe Boatengun për të realizuar me një goditje të fuqishme për 2-1 dhe epërsinë e Bluve.

Bayerni vetëm sulmoi në pjesën e parë të vazhdimeve, ku ndihmoi edhe Xherdan Shaqiri, i cili hyri në vend të Robbenit në minutën e 96-të.

Sidoqoftë, drama e vërtetë u zhvillua në pjesën e dytë të vazhdimeve. Martinez me kokë rrezikoi nga afërsia në fillim, por Petr Cech ishte shpëtimtari.

Edhe disa herë Cech e shpëtoi portën, por vlen të përmendet kur Franck Ribery lansoi nga gjuajtja e lirë një goditje precize, të cilën nga vija e largoi portieri çek i cili po luante para publikut të tij.

Shaqiri ishte po ashtu pranë golit, por fati nuk ishte me të, kur nga afërsia e dërgoi topin jashtë portës.

Dhe, kur të gjithë menduan se nuk ka më kohë dhe kur Mourinho çmendej duke kërkuar përkrahjen e tifozëve, pas një rrëmuje në zonë në sekondën e fundit të vazhdimeve ishte Javi Martinez (120’+1) ai që realizoi për 2-2 dhe çmendjen e madhe të tifozëve bavarezë në stadium, ashtu sikurse shokimin deri në infarkt të Jose Mourinhos.

Fituesi u desh të përcaktohej në penalti, ku drama ishte e jashtëzakonshme. Të gjithë lojtarët realizuan, duke përfshirë edhe djaloshin tonë, Xherdan Shaqirin.

Dhe, penaltinë vendimtare për Chelsean e humbi Romelu Lukaku, 20 vjeçari i cili nuk arriti të përballojë psikologjikisht penaltinë, të cilit goditjen ia ndali Manuel Neuer.

Me këtë fitore Bayern Munich i arkëton 10 milionë euro dhe i hakmerret Chelseat për disfatën në penalti në Allianz Arena dy sezone më parë.

Guardiola bëhet trajneri i parë në histori i cili i fiton tri Superkupa të Evropës. Ky është edhe triumfi i radhës i Guardiolës mbi Mourinhon, rivaliteti i të cilëve edhe një herë e diktoi këtë ndeshje dramatike. /Telegrafi/