Bankave u bie fitimi për 50 %

Bankave u bie fitimi për 50 %

Bankave u bie fitimi për 50 %Tri nga gjithsej tetë bankat dhe degët bankare, të cilat operuan në Kosovë gjatë tërë vitit 2012, shënuan performancë negative.
Rënia e fitimit të sistemit bankar erdhi si rrjedhojë e ngadalësimit të rritjes vjetore të të hyrave të përgjithshme, të cilat u rritën për vetëm 2,9 për qind, derisa një viti më parë ato ishin në 10,5 për qind.

Por, në anën tjetër shpenzimet shënuan rritje më të theksuar prej 13 për qind, derisa në vitin 2011 ato ishin në 10,9 për qind në vitin 2011, duke kontribuar kështu në pothuajse përgjysmimin e profitit neto.

“Faktorët kryesorë të cilët ndikuan në zvogëlimin e shkallës së rritjes së të hyrave janë norma më e ulët e rritjes së aktivitetit kreditor dhe rënia e lehtë e normës së interesit në kredi. Kjo për faktin se të hyrat nga interesi, më saktësisht të hyrat nga interesi në kredi, dominojnë strukturën e të hyrave të sistemit bankar. Në fund të vitit 2012, vlera e të hyrave nga interesi arriti në 200.5 milionë euro, duke shënuar rritje vjetore prej vetëm 2,7 për qind, derisa në vitin 2011 këto të hyra kishin shënuar rritje vjetore prej 11 për qind”, thuhet në raportin e Bankës Qendrore të

Kosovës (BQK) për vitin 2012.
Më tej në raport thuhet se të hyrat nga jointeresi, të cilat arritën vlerën prej 46.6 milionë euro, treguan volatilitet më të ulët. Rritja vjetore e të hyrave nga jointeresi ishte 3,5 për qind, derisa një vit më herët rritja ishte 8,6 për qind, duke ndikuar që pjesëmarrja e këtyre të fundit në strukturën e gjithsej të hyrave të shënojë rritje të lehtë në nivelin 18,8 për qind.

Por, megjithatë, janë të hyrat nga interesi ato të cilat vazhdojnë të dominojnë dukshëm strukturën e të hyrave të sistemit bankar në Kosovë, që njëherësh i bën të hyrat e sistemit shumë të ekspozuara ndaj ndryshimeve në volumin, strukturën dhe cilësinë e aseteve që gjenerojnë interes, si dhe ndryshimeve në norma të interesit.

“Të hyrat nga plasmanet e bankave që operojnë në Kosovë në bankat jashtë vendit, si dhe të hyrat nga investimet në letrat me vlerë shënuan rritje negative krahasuar me vitin 2011, duke zvogëluar kështu pjesëmarrjen e tyre në strukturën e të hyrave, dhe rrjedhimisht duke kontribuar në ngadalësimin e rritjes së gjithsej të hyrave.

Të hyrat nga interesi në plasmane jashtë vendit u përgjysmuan si pasojë e zvogëlimit të volumit të plasmanëve me bankat jashtë vendit (rënie për 13 % krahasuar me vitin paraprak), si dhe si pasojë e rënies së normave të interesit në këto plasmane, gjë që korrespondon me uljen e normës bazë të interesit nga Banka Qendrore Evropiane në dhjetor të vitit 2011 dhe në korrik të vitit 2012”, thuhet në raport.

Më tej, thuhet se të hyrat nga letrat me vlerë u zvogëluan për 29 për qind përkundër rritjes prej 27 për qind të volumit të investimeve në këtë kategori.