f1_panairi-financiar1348820346

Bankat s’ i ulën normat e kredisë, por i shpëtuan krizës financiare

Sektori bankar në Kosovë është në gjendjen më të mirë që ka pasur ndonjëherë. Ky sektor nuk është prekur nga kriza globale financiare.

Përkundrazi, sipas guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës, Gani Gërguri, ky sektor ka ndikuar në zhvillimin ekonomik të vendit dhe në zbutjen e efekteve negative që kërcënojnë çdo ditë ekonominë e vendit nga sektorë të jashtëm.

Këto fjalë i tha Gërguri në hapje të “Panairit Financiar 2012”, të organizuar nga Shoqata e Bankave të Kosovës. “Sot ndihemi krenarë që kemi një sektor financiar, i cili, për dallim nga shumica e vendeve të tjera, nuk është bërë asnjëherë barrë e shtetit.

Por, përkundrazi, edhe në kohët më të vështira si të krizës globale financiare të viteve 2008-09 dhe të krizës së fundit që po sillet rreth eurozonës, me aftësinë dhe mundësitë e veta ka vazhduar të kontribuojë në zhvillimin ekonomik dhe në zbutjen e efekteve negative që kanë kërcënuar ekonominë tonë nga sektori i jashtëm”, tha guvernatori Gërguri.

Në vazhdën e aktiviteteve të këtij panairi, u organizuan dy forume të ndara të cilat kishin për tematikë financimin që kontribuon në zhvillim ekonomik. Temë diskutimi në forumin e parë ishte “Financimi për Zhvillim” me të cilin rast u vlerësua se sistemi bankar i Kosovës është një sistem stabil dhe i qëndrueshëm i cili ka bërë që besueshmëria e qytetarëve ndaj këtij sektori të jetë në nivelet më të larta të saj. Në këtë panel të diskutimeve, ekspert të tjerë nga fusha e sistemit bankar vlerësuan se bizneset në Kosovë kanë arritur në një ngërç për shkak të vështirësive të ndryshme me të cilat këto ndërmarrje janë duke u ballafaquar, qoftë kjo nga mosfunksionimi i mirë i institucioneve në vend, por edhe nga vështirësitë e ndryshme, të cilat po hasen me rastin e financimit të tyre. Mosregjistrimi i pronave në kadastër, funksionimi jo i mirë i gjykatave, si dhe mostransparenca e ndërmarrjeve në raportim financiar, ishin disa nga çështjet për të cilat u vlerësua se paraqesin sfidat kryesore për financim.

Menderes Ibra, këshilltar politik i ministrit të Financave, kritikoi bankat që, sipas tij, kanë përfituar nga shteti me zbritje të tatimit në fitim nga 20 në 10 për qind, dhe nuk kanë reflektuar me uljen e normave të kredisë.

“Në vitin 2009 Qeveria mori vendim për një ulje të ndejshme të tatimit të fitim për sektorin bankar, nga 20 në 10 për qind, me qëllim të tërheqjes shtesë të investimeve dhe stimulimin e rritjes ekonomike. Them sinqerisht që ne kemi pritur se kjo ulje do të ketë një ndikim në uljen e normave të interesit, por me keqardhje mund të konstatohet se deri më tash nuk është parë një reagim i tillë nga sektori bankar”, tha Ibra. Sipas tij, sektori bankar, është një nga sektorët që ka potencial për rritjen e investimeve dhe për rritjen ekonomike në Kosovë. Robert Wright, kryetar i Bordit të Shoqatës së Bankave të Kosovës, tha se, me gjithë qëndrueshmërinë dhe stabilitetin, sektori bankar në Kosovë nuk është imun ndaj sfidave, porse deri më tani sfida të tilla janë nën kontroll të plotë. “Ne nuk duhet të mendojmë se sektori bankar i Kosovës është imun ndaj sfidave, ne natyrisht kemi pasiguri të mëdha. Problemet në Eurozonë janë mjaft komplekse dhe nuk mund të rregullohen për një kohë të shkurtër”, tha Wright. Sipas tij, sistemi bankar në Kosovë nuk ka qenë asnjëherë në gjendje më të mirë sesa tani. “Kam besim se kjo industri do të jetë një nga performancat më të mira në Evropën Juglindore”, theksoi Wright.

Temë diskutimi në forumin e dytë ishte “E ardhmja bankare”, me theks në përdorimin e produkteve elektronike bankare. Në diskutimet e panelistëve u vlerësua që në bazë të të dhënave të fundit të bëra, vetëm 22 për qind e bizneseve të Kosovës përdorin pikat shitëse të bankave (POS-at) për të realizuar transaksionet përmes kartelave bankare. Sipas tyre, e ardhmja e shërbimeve bankare duhet të jetë e përqendruar në zhvillimin e shërbimeve bankare përmes telefonisë mobile të cilën tashmë pjesa dërrmuese e bankave e ofrojnë.

Panairi, ku bankat dhe institucionet e tjera financiare prezantojnë produktet e tyre, do të jetë i hapur edhe të premten.