Banka Botërore 150 milionë USD Shqipërisë për energjinë

Banka Botërore 150 milionë USD Shqipërisë për energjinë

Banka Botërore 150 milionë USD Shqipërisë për energjinëQeveria shqiptare firmos marrëveshjen për energjinë me Bankën Botërore. Huaja prej 150 milionë dollarësh do të përdoret përkatësisht 93 milionë dollarë për Sistemin e Shpërndarjes, 20 milionë dollarë për Sistemin e Transmetimit, 30 milionë dollarë për importin e energjisë dhe 7 milionë për reformën në këtë sektor.

Përfaqësuesja e BB-së në Tiranë, Ellen Goldstein tha se reformat qe po ndërmerr qeveria në këtë sektor, parandalojnë një krizë edhe më të madhe të këtij sistemi në të ardhmen. Ndërsa kryeministri Edi Rama theksoi sërish se Qeveria ka vendosur rritjen e pensioneve dhe ndihmës për njerëzit me aftësi te kufizuara me qëllim që të përballojnë heqjen e fashës prej 300 kë të energjisë elektrike.

Ministri i Energjisë, Damian Gjiknuri vlerësoi marrëveshjen e nënshkruar me BB-në si një mundësi për reformimin e sistemin energjetik. “150 milionë dollarë të tjera financim nga BB-ja deri në 2020, përkthehen në më tepër investime dhe i hapin rrugën edhe institucioneve të tjera financiare që duan të kontribuojnë në këtë sektor”, – deklaroi Gjiknuri. Ai shtoi se do miratohet këtë vit edhe ligji i ri që ka si synim miradministrimin si edhe reduktimin e humbjeve teknike dhe jo teknike në sektorin energjetik.

“Me implementimin e suksesshëm të projektit, synojmë të ulim humbjet totale në rrjet nga 40 % që janë mesatarisht sot, në 17 % në vitin 2019; të rrisim nivelin e arkëtimeve nga 84 %, në të paktën 93% në vitin 2019. Synojmë ta kthejmë sektorin energjetik, nga një sektor i zhytur në borxhe sot në një sektor financiarisht të qëndrueshëm duke filluar nga viti 2018”, tha Gjiknuri.

Ellen Goldstein, drejtoresha Rajonale e BB-së për Evropën Juglindore e pranishme në këtë takim deklaroi se Shqipëria duhet të ndërmarrë reforma të rëndësishme, ndryshe viti i ardhshëm do të rriste humbjet në sektorin energjetik. “Do përbënte pengesë të pakapërcyeshme vijimi i humbjeve, rregullimi i situatës është elementi i rëndësishëm për të rregulluar sistemin dhe zhvillimin, 55 miliardë lekë humbje ka pasur, ndaj duhen reforma serioze për investime në këtë sektor, që pastaj të investohet edhe në sektorë të tjerë si shëndetësia, rrugët etj.”, u shpreh Goldstein. /Telegrafi/