Ban s’e paragjykoi vendimin e GJND-së, sqaron OKB

Ban s’e paragjykoi vendimin e GJND-së, sqaron OKB

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, nuk e paragjykon Mendimin Këshillëdhënës, të cilin GJND-ja do ta shpallë më 22 korrik.

Në deklaratën për Top Channel, Ban ka theksuar se Kombet e Bashkuara do t’i diskutojnë për së afërmi implikimet e Mendimit Këshillëdhënës me Bashkimin Evropian dhe palët e tjera të përfshira dhe të interesuara për të gjetur mënyrën më të mirë për ta adresuar çështjen dhe për të siguruar paqe dhe stabilitet në rajon.

Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë ka shpërndarë një sqarim për media, ku thekson se deklarata e Sekretarit Ban lidhur me mendimin këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë është keqinterpretuar.

UNMIK-u ka përcjellë, në mënyrë integrale, pyetjen dhe përgjigjen, e cila thuhet se është transmetuar jobesnikërisht në media.

Pyetja e gazetari të Top Channelit ka qenë: “Z. Sekretar i Përgjithshëm më 22 korrik Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë do ta japë mendimin e vet këshillëdhënës për pavarësinë e Kosovës. A mendoni se Kosova do të bëhet anëtare e Kombeve të Bashkuara pas kësaj?”

Kurse përgjigja e sekretarit Ban, sipas zyrtarëve për shtyp të Kombeve të Bashkuara, ka qenë kjo: “Fillimisht, jam në dijeni se gjykimi i këtij aplikimi të Qeverisë së Serbisë për ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës do të bëhet përmes një mendimi këshillëdhënës, në kërkesë të Asamblesë së Përgjithshme.

Dhe unë po e pres këtë vendim më 22 korrik. Cilido që të jetë vendimi, unë e respektoj, dhe kuptoj se shtetet anëtare po ashtu do ta respektojnë vendimin e GJND-së. Kjo është një organizatë, trup gjyqësor i Kombeve të Bashkuara. Për çfarëdo implikimi ligjor apo politik që vjen nga ky mendim këshillëdhënës, shtetet anëtare, dhe në veçanti palët e përfshira, do të duhet të koordinohen dhe diskutojnë rrjedhën e mëtejme të veprimeve.

Kombet e Bashkuara, në përputhje me rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit, dhe pasi që jemi duke e mbajtur UNMIK-un në Kosovë, po ashtu do të diskutojmë për së afërmi këtë çështje me palët e përfshira drejtpërsëdrejti dhe me Bashkimin Evropian si dhe palët e tjera kyçe të përfshira në një mënyrë të harmonizuar në adresimin e kësaj çështjeje dhe të sigurojnë atje paqe dhe stabilitet”.

Deri atëherë, Ban ka thënë se OKB-ja do të vazhdojë të punojë sipas rezolutës 1244, në mënyrë neutrale ndaj statusit.

Gazetari i televizionit “Top Channel” ka raportuar dje se Ban i pyetur gjatë një konference në Gjenevë, ka deklaruar se pret një opinion pozitiv nga GJND-ja për pavarësinë e Kosovës. “Jam i informuar për kërkesën serbe mbi legalitetin e pavarësisë së Kosovës.

Vendimi do të jepet më 22 korrik dhe kjo temë do të jetë në qendër të debatit në KS. Por cilido që të jetë vendimi, vendet anëtare janë të detyruara të pranojnë realitetin e ri”, është cituar të ketë thënë sekretari Ban.