Ban Ki Moon: Progres i konsiderueshëm politik në Kosovë

Ban Ki Moon: Progres i konsiderueshëm politik në Kosovë

Ban Ki Moon: Progres i konsiderueshëm politik në KosovëNë observimet e tij në raportin e parë të 2014 që përfshin një periudhë raportuese të fundit të vitit që shkoi, Sekretari i Përgjithshëm, Ban Ki Moon, nënvizon se 2013-ta ishte ‘një vit i progresit të konsiderueshëm politik falë një lidershipi dhe zotimi të Beogradit dhe Prishtinës, që kulmoi me marrëveshjen historike të 19 prillit’.

“Ky vit shënoi një progres të rëndësishëm në zbatimin e kësaj marrëveshje dhe hapave drejt normalizimit të marrëdhënieve”, thekson Ban, raporton RTK. Ai thotë se krahas këtij progresi themelor në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, të dyja palët kanë arritur edhe përparim thelbësor në objektivin e tyre për bashkëpunim më të ngushtë me institucionet e Bashkimit Evropian.

“Unë e mirëpres vendimin e Këshillit të Evropës për të filluar bisedimet rreth anëtarësimit me Serbinë si dhe negociatat mbi marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit me Kosovën”, nënvizon Ban dhe shton se ‘bisedimet e vazhdueshme dhe të drejtpërdrejta midis Prishtinës dhe Beogradit ishin qenësore për këtë sukses, dhe do të mbeten të rëndësishme për të siguruar që progresi i arritur të përballojë sfidat që dalin nga dallimet në interpretime apo tensionet në terren”, theksoi ai.

Në rekomandimet e tij për vitin 2014, Ban thotë se duhet të vazhdojnë përpjekjet për konsolidimin e këtyre arritjeve të rëndësishme drejt stabilitetit, prosperitetit dhe një pajtimi rajonal.

“Mbajtja e suksesshme e zgjedhjeve lokale në Kosovë, përfshirë edhe komunat veriore, për herë të parë brenda një kuadri të vetëm legjislativ, ka hapur hapësirë për dinamikë të re politike në Kosovë si dhe fillim të një faze të re të angazhimeve të palëve drejt zbatimit të plotë të marrëveshjes së 19 Prillit. Progresi i hershëm është veçanërisht i rëndësishëm në drejtim të arritjes së marrëveshjes për statutin dhe themelimin e Asociacionit të komunave serbe”, thekson ndër të tjera Sekretari i Përgjithshëm Kombeve të Bashkuara Ban ki Moon.