Ballkani, me një zë dhe projekti “korridori i kaltër”

Ballkani, me një zë dhe projekti “korridori i kaltër”

Ballkani, me një zë dhe projekti “korridori i kaltër”Pas takimit në Dubrovnik të Kryeministrave të Shqipërisë, Kroacisë, Malit të Zi dhe Bosnje-Hercegovinës Kryeministri Edi Rama mori pjesë dje, në takim katërpalësh me Kryeministrat e Kroacisë Zoran Milanoviç, të Malit të Zi Milo Gjukanoviç dhe të Bosnjës Vjekoslav Bevanda, që u mbajt në Kroaci.

Zyra e shtypit pranë kryeministrisë zbardhi sot detaje të takimit, i cili u iniciua në kontekstin e Konferencës së Berlinit për Ballkanin Perëndimor, të datës 28 gusht, me qëllim koordinimin e qëndrimit në këtë konferencë.

Pas takimit, Kryeministrat bënë publike temat e takimit, pikëpamjet e shkëmbyera dhe prioritet me të cilat rajoni që do të prezantohet në Konferencën e Berlinit.

Kryeministri Rama rishprehu pikëpamjen e Qeverisë shqiptare se është një kohë e re për Ballkanin dhe kjo kërkon edhe një perspektivë të re në bashkëpunim rajonal.

“100 vite më parë pikërisht në këtë rajon fillojë Lufta e Parë Botërore. Sot është koha e vitit të parë të një paqeje mes gjithë rajonit. Është viti i parë që rajoni e jeton pa asnjë konflikt. Por është një paqe shumë e madhe për shpatullat tona veç e veç, prandaj ne duhet të bëhemi të gjithë bashkë,” – u shpreh Kryeministri Rama.
Kryeministri Rama, i cili para këtij takimi zhvilloi edhe një takim koordinues me Kryeministrin e Kosovës, theksoi se këtë frymë të re në rajon do ta përcjellin së bashku edhe në Konferencën e Berlinit, ku do të flasin me ide dhe projekte konkrete zhvillimi, ndër të cilat autostrada Adriatiko-Joniane.

“Sot jemi këtu, të gjithë së bashku, me Kryeministrin e Kroacisë, të Malit të Zi dhe të Bosnjës, për të pasur një pozicion të përbashkët në Konferencën e Berlinit, lidhur me një projekt madhor, që është projekti i ”Korridorit të Kaltër” apo autostradës që do të lidhë pjesën tjetër të Mesdheut, veriun e Kroacisë me pjesën jugore të Kroacisë, me Malin e Zi, me Shqipërinë dhe më poshtë me Greqinë, për të krijuar përfundimisht “Unazën e Mesdheut,” u shpreh Kryeministri Rama.

Kryeministri Rama, ndërsa garantoi mbështetjen e plotë të Shqipërisë për këtë projekt dhe çdo projekt zhvillimi rajonal, theksoi se bashkëpunimi i qëndrueshëm në rajon është një domosdoshmëri për prosperitetin e Ballkanit Perëndimor dhe për të çuar përpara procesin europian të integrimit.

“Sigurisht që kjo nuk është e vetmja temë, por kjo është kryefjala e këtij pozicioni të përbashkët dhe Kroacia, Mali i Zi, Bosnja, Shqipëria dhe Kosova do të mbështesin fort këtë projekt, sepse ne e shikojmë si një domosdoshmëri për të bërë një hap të fortë përpara, drejt integrimit të të gjithë rajonit dhe atij zhvillimi të qëndrueshëm ekonomik dhe atij bashkëpunimi të qëndrueshëm rajonal që ne e kemi të gjithë së bashku nevojë. Ndjehemi realisht shumë mirë, sepse kemi edhe fatin edhe mundësinë që Kroacia flet edhe për ne në gjirin e Bashkimit Europian, ndërkohë që ne nga jashtë Bashkimit Europian do të flasim më shumë gjuhën e Ballkanit, për ta bindur Bashkimin Europian që të jetë më shumë prezent në rajon,” u shpreh Kryeministri.

Edhe Kryeministri kroat Zoran Milanoviç shprehu mbështetjen e Kroacisë për realizimin e këtij projekti, duke e quajtur atë një “trase që ndërlidh rajonin.”

“Ky projekt ende nuk është realizuar, ndonëse është i rëndësishëm edhe për Kroacinë, si një vazhdimësi e trasesë rrugore që e ndërlidh rajonin dhe kuptohet se ka rëndësi edhe për Malin e Zi, për Shqipërinë dhe Bosnje-Hercegovinën, e cila natyrisht vjen menjëherë pas Kroacisë. Por do të thosha se është e rëndësishme edhe për Kosovën në këtë moment, ndonëse këtu nuk ishte Kryeministri i Republikës së Kosovës. Kjo ka qenë tema kryesore për të cilën kemi biseduar dhe ky është një qëllim që së bashku duam ta arrijmë,” – u shpreh Kryeministri Milanoviç.

Kryeministrin malazez Milo Gjukanoviç nënvizoi se ky takim është tregues i një pjekurie dhe përgjegjësie të të gjitha vendeve të rajonit. Ndërsa e sheh zhvillimin e infrastrukturës rrugore dhe energjetike si një parakusht për zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të rajonit.

“Përpiqemi që të rikuptimësojmë skenarin se si të zëvendësohet ajo kohë shumë e gjatë, kur shtetet tona kishin ngecje në krahasim me atë që është niveli europian i zhvillimit. Për këtë arsye jemi të fokusuar në atë që besojmë se përfaqëson hapin e parë, ose parakushtin e zhvillimit të përgjithshëm ekonomik dhe demokratik. Për Malin e Zi nuk ka asnjë mëdyshje se ky parakusht është zhvillimi i infrastrukturës rrugore e energjetike dhe në këtë kontekst, autostrada Joni-Adriatiku vërtet ka qenë në vëmendjen e veçantë gjatë bisedës sonë. Më vjen mirë që absolutisht jemi të një mendimin se ky është një korridor dhe objekt i rëndësishëm, i cili do të duhej të ofronte mundësitë e konsumimit e të gjitha atyre arritjeve dhe standardeve europiane për të gjithë qytetarët e shteteve tona,” – u shpreh Kryeministri Gjukanoviç.

Mbështetje të plotë për realizimin e këtij projekti shprehu edhe Kryeministri i Bosnjës Vjekoslav Bevanda.

“Shikoni hartën gjeografike dhe do të kuptoni të gjitha, se sa është esencial ky Korridor dhe sa të mira do të na sjellë. Ne kemi biseduar hapur edhe për tema tjera, por është krejt normale që pas prezantimit në Berlin do të mund t’ju themi se a kemi hasur në mirëkuptim dhe a kemi marrë përkrahje për idetë tona,” u shpreh Kryeministri Bevanda.
Në përfundim të takimit, të katër Kryeministrat dëshmuan se prioritetet i kanë të njëjta, si dhe nevojën për një komunikim gjithnjë e më të ngushtë mes vendeve në rajon dhe me partnerët europianë.