Babai hedh foshnjën nga dritarja

Babai hedh foshnjën nga dritarja

Një ngjarje e rëndë që tronditi Tiranën mbrëmjen e së hënës ka shokuar opinionin e gjerë. Babai hodhi nga kati i katërt i Maternitetit “Koco Gliozheni” foshnjën e porsalindur.

Burime të policisë së kryeqytetit tregojnë se foshnja ishte tre ditëshe dhe e seksit mashkull. Blutë e Tiranës thanë se i dyshuari për ngjarjen është Hysen Biba dhe se policia u vu ne ndjekje për kapjen e tij. Ne kryeqytet u ngriten disa postoblloqe, dhe ai u ndalua ne Kamez pak pas mesnate edhe pas negociatave te vëllait te tij qe Biba te dorezohej.

Pas ngjarjes, hetues të policisë kanë shkuar pranë familjarëve dhe kanë marrë në pyetje Luljeta Biben, nënën e foshnjës, e cila ka qenë në një gjendje tepër të rënduar, por nën kujdesin e mjekëve. Në pyetje janë marrë edhe familjarë të tjerë të familjes Biba, që kanë treguar se Hyseni vuante prej kohësh nga depresioni. Ata kanë treguar edhe momentin që babai monstër ka kryer aktin e rëndë. Sipas tyre, Hyseni i ka kërkuar Luljetës që të mbante foshnjën për disa minuta. Luljeta nuk e ka kundërshtuar dhe ia ka dhënë në mirëbesim. Autori është afruar pranë murit të dritares së maternitetit dhe në një gjendje tepër të qetë ka qëndruar disa minuta. Deri në këtë moment gjithçka në rregull, ku Hyseni po tregohej “baba”. Më pas, ndoshta nga një çrregullim i fortë mendor, ka hapur dritaren e maternitetit dhe me shpejtësi ka hedhur me vetëdije foshnjën. Sërish me shpejtësi dhe duke shfrytëzuar hutimin nga ky episod i Luljetës dhe stafit mjekësor, është larguar nga dhoma. Ka përdorur shkallët e maternitetit, ka dalë poshtë tij, ku kishte parkuar automjetin. Më pas, sipas dëshmitarëve, Hyseni është larguar fillimisht në drejtim të banesës së tij, ku dhe është lokalizuar nga Policia e Tiranës dhe më pas është larguar me automjet në drejtim të Kamzës, ku dhe u arrestua. Policia thotë se ka marrë në pyetje personalin mjekësor, madje është sekuestruar edhe kartela e shtrimit të Luljeta Biben, me origjinë nga Kukësi, por me banim në Tiranë. Sipas kartelës por edhe mjekëve, lindja kishte shkuar shumë mirë, foshnja dhe nëna ishin në gjendje të mirë.

Mjekët ende nuk besojnë për ngjarjen e rëndë, madje në deklarimet para policisë tregojnë se gjendja e nënës dhe fëmijës ishin të mira. Pas këtyre dëshmive, policia ka marrë në pyetje kryemaminë e pavijonit ku ishte shtruar Luljeta, në lidhje me orarin e vizitave. Policia pohoi se do të verifikojë nëse personeli i maternitetit kishte zbatuar apo jo orarin. Nga të dhënat e para mësohet se vizitat kanë një orar dhe stafi i maternitetit ka pasur dijeni se brenda në dhomë ku ishte shtruar Luljeta ishte edhe bashkëshorti i saj, Hyseni. Megjithatë, ata kanë pohuar se nuk kanë menduar se pikërisht babai do të ndërmerrte një akt të tillë çnjerëzor. Tashmë, krahas hetimit policor, ka filluar edhe një hetim administrator në maternitet. Megjithatë, vëmendja e të gjithë stafit tashmë ka kaluar te lehona, e cila nga informacionet e para, ka rezultuar se është në një shok.