Axos ul pazarin e PTK-së

Axos ul pazarin e PTK-së

 Axos ul pazarin e PTK-sëProcesi i nënshkrimit të kontratës për shitjen e PTK-së i dizajnuar të realizohet brenda 60 ditë pune pas shpalljes së fituesit, rrugës ka nxjerr kërkesa të reja të blerësit, konsorciumit AXOS. Vetëm për licencat 3G blerësi ka kërkuar t’i zbriten 20 milionë euro nga çmimi i shitjes. Qeveria konfirmon se licencat do i paguaj PTK-ja.

Shitja e PTK-së do t’i sjell buxhetit të vendit më pak se 277 milionë euro për shkak se Qeveria do t’i paguaj blerësit licencat 3G. Qeveria e vendit nuk ka sqaruar akoma nëse ishte kusht që blerësit të 75 % të aksioneve të PTK-së, konsorciumit ACP Axos Capital GmbH, t’i paguhen licencat 3G. Por, ka konfirmuar tashmë se licencat do të paguhen nga PTK.

Burime të Radio Kosovës brenda qeverisë kanë shpjeguar se AXOS-i në fillim ka kërkuar të zbriten nga çmimi i shitjes së PTK-së fiks 20 milionë euro te licencave dhe se ende po diskutohet për kërkesat dhe kushtet e kontratës.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik Fadil Ismaili nuk ka mundur të përgjigjet direkt në pyetjen se nëse kjo ka qenë përfshirë në marrëveshje dhe kush do i paguaj licencat 3G blerësi apo qeveria e Kosovës.

Një përgjigje të dërguar përmes postës elektronike Fadil Ismaili ka thënë se licenca për shfrytëzim të brezit 3G do të paguhet nga buxheti i PTK-së, që nënkupton nga buxheti i vendit.

“Licenca për shfrytëzim të brezit 3G do të paguhet nga kompania, d.th. PTK-ja. Kushtet, afatet kohore dhe të gjitha specifikat tjera në lidhje me licencën 3G përcaktohen nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe postare” thuhet në përgjigjen e ministrit.

Ismaili nuk ka dhënë sqarim rreth kërkesave të reja të kompanisë AXOS. Ai vetëm ka konfirmuar për RTK se ka kërkesa që nuk janë paraparë në kontratë e për të cilat do të respektohet vetëm ligji. Gjithashtu ai nuk ka dhënë sqarim pse duhet PTK të paguaj për një investim biznesor të AXOS.

3G është shërbim i ri që mundëson transmetimin me cilësi e shpejtësi të lartë të të dhënave siç janë fotot, videot dhe operacionet tjera përmes internetit.

Nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike nuk kanë sqaruar çështjen e kostos së pajisjeve që mundësojnë realizmin e shërbimit 3G. Shefi i Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike, Ekrem Hoxha ka konfirmuar përmes mesazhit telefonik se për licencat 3G duhet të paguaj PTK.

Ndërkohë Radio Kosova për një javë rresht nuk ka mundur të marr ndonjë përgjigje nga zyrtarët e kompanisë AXOS.

Çmimi i shitjes së 75 për qind të PTK-së është 277 milionë euro me kush që 30 milionë euro t’i kthehen investitorit. Deri më tani qeveria nuk ka sqaruar nëse licencat 3G do të jenë çmim tjetër nga shuma prej 30 milionë eurosh që do ti kthehet investitorit.Sidoqoftë pavarësisht nëse është e re apo jo kërkesa e koncorsiumit AXOS, shitja e PTK-së gjithsesi nuk do të kushtoj më shumë se 227 milionë euro.