Avni Arifi: Nuk humbim kohë me PDK-në

Avni Arifi: Nuk humbim kohë me PDK-në

Avni Arifi: Nuk humbim kohë me PDK-nëKoalicioni LDK-AAK-Nisma në asnjë variant nuk do të jetë pjesë e koalicionit me PDK-në, njëkohësisht nuk do t’i pranojë as konsultimet që janë të parapara për formimin e qeverisë së re. Kështu ka thënë Avni Arifi, këshilltar i lartë politik i liderit të AAK-së.

Në një intervistë për “Epokën e re”, Arifi ka deklaruar se koalicioni LDK-AAK-Nisma nuk është i interesuar të humbet kohë për të biseduar me zyrtarë të PDK-së për çështjen e formimit të institucioneve të reja.

Arifi ka bërë me dije se ky koalicion nuk do të pranojë kurrfarë konsultimesh dhe negociatash me PDK-në për postin e kryetarit të Kuvendit.

“Liderët e koalicionit LDK-AAK-Nisma nuk pranojnë konsultime dhe as negociata me PDK-në për postin e kryeparlamentarit”, ka thënë Arifi, i cili ka mohuar se liderët e koalicionit LDK-AAK-Nisma janë duke iu frikësuar takimit me liderin e PDK-së, Hashim Thaçi, i cili do të mundte ta ndante treshen Mustafa-Haradinaj-Limaj.

“E them me sinqeritet të plotë, se në asnjë periudhë kohore nuk ka ekzistuar droja se ndonjëri nga partnerët e koalicionit mund të hyjë në bisedime me PDK-në”, është shprehur Arifi, duke shtuar se partitë e koalicionit LDK-AAK-Nisma janë të gatshme të shkojnë bashkë në çdo proces, përfshirë edhe opsionin e zgjedhjeve të reja.

“Partitë e bllokut në të gjitha opsionet e mundshme që do të përballen në të ardhmen e afërt janë të gatshme të shkojnë bashkë”, është shprehur Arifi.

Në këtë drejtim, ai ka thënë se ekziston gatishmëri e fuqishme në mes të partive të koalicionit se nuk do të ketë qeveri ‘Thaçi 3’. /Epoka e re/