Autoriteti i shpenzimeve
Autoriteti Kosovar i Konkurrencës, me vetëm dhjetë zyrtarë, bëri kërdi në shpenzime vitin e kaluar. Auditori Gjeneral ka gjetur se këta zyrtarë në udhëtime shpenzuan 56 mijë euro, edhe pse në disa raste nuk kishin as ftesa, e as agjenda për ndonjë takim zyrtar. Për telefona, secili shpenzoi nga një mijë euro.
Dhjetë zyrtarët e Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, kohën më të madhe vitin e kaluar e çuan nëpër udhëtime zyrtare. Madje, edhe në ato raste kur nuk patën ftesa, apo agjendë të ndonjë takimi zyrtar. Si pasojë, prej 80 mijë eurove sa i pati në dispozicion për mallra dhe shërbime, vetëm në udhëtime zyrtare ky institucion shpenzoi gjithsej 56 mijë euro.
Krejt këto parregullsi i ka identifikuar Auditori Gjeneral, gjatë auditimit vjetor të pasqyrave financiare të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, shkruan Express. Auditori ka konstatuar se përveç shpenzime të larta për udhëtime, AKK’ja nuk po kursen as kur është puna në telefona. Bashkë me këto shpenzime, gjatë vitit të kaluar, udhëheqësi i komisionit me një komisar tjetër, kishin marrë pagën edhe pse iu kishte skaduar kontrata.
“Për udhëtimet jashtë vendit, Autoriteti i Konkurrencës gjatë vitit 2011 ka shpenzuar 56,800 euro apo 56 për qind të buxhetit të ndarë për kategorinë mallra dhe shërbime, më pak se një vit më parë, por ende një pjesë e konsiderueshme e buxhetit”, thuhet në raportin e Auditorit.