Autonomia për veriun, rrezik për rajonin

Autonomia për veriun, rrezik për rajonin

Autonomia për veriun, rrezik për rajoninOpozita dhe njohës të rrethanave politike në Kosovë kanë thënë se dhënia e autonomisë veriut si kusht për themelimin e komunës veriore të Mitrovicës dhe për organizmin e zgjedhjeve në Leposaviq, Zveçan e Zubin-Potok, siç po e kërkojnë serbët e asaj pjese, është antikushtetuese dhe e rrezikshme për rajonin.

Anëtari i Kryesisë së partisë më të madhe në opozitë, Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka thënë të dielën se partia ku është ai anëtar është e pozicionuar kundër aranzhimeve që e prekin Kushtetutën e Kosovës dhe Planin e Ahtisaarit.

“Qeverisja lokale në Kosovë është e paraparë me Pakon e Ahtisaarit dhe me Kushtetutën e Kosovës. Çfarëdo lloj aranzhimi tjetër që bëhet është antikushtetues dhe LDK-ja nuk e mbështet një gjë të tillë”, ka thënë Gashi.

Ndërsa, udhëheqësi i Sekretariatit për Media dhe Komunikim në partinë tjetër opozitare “Vetëvendosje”, Erzen Vraniqi, ka thënë se themelimi i komunës së veriut të Mitrovicës nuk është asgjë tjetër përveçse legjitimim i spastrimit etnik që iu ka bërë shqiptarëve nga atje dhe implementim i aparteidit të quajtur decentralizimi etnik që, sipas tij, derivon nga Plani i Ahtisaarit.