Asnjë datë për rikthimin e trojkës

Asnjë datë për rikthimin e trojkës

Asnjë datë për rikthimin e trojkësE hapur mbetet data e kthimit të trojkës në Athinë, pasi megjithë telekonferencën mes stafit financiar të qeverisë dhe përfaqësuesve të kreditorëve, që zgjati katër orë, nuk pati marrëveshje mes të dy palëve, me pikë kryesore mosmarrëveshjeje vakumin financiar të 2015-s.

Sipas një zyrtari të lartë të Ministrisë greke të Financave “trojka (BE-FMN-BQE) vazhdon të insistojë në vakumin financiar të supozuar”.

I njëjti burim shtoi se “ne kemi të drejtë, ashtu si vitet e mëparshme”. I pyetur nëse ekziston një datë për kthimin e trojkës, ai tha shprehimisht se “ende nuk kemi një datë”, mirëpo “bisedimet vazhdojnë”.

Qeveria vazhdon të pretendojë se nuk ekziston vakum financiar për 2015-n dhe mbi këtë bazë do të dorëzojë sot në parlament, buxhetin e ri.

I njëjti burim tha gjithashtu se gjatë telekonferencës u hap gjithë gama e çështjeve dhe se “gjetëm akord për shumë gjëra”, duke shtuar se për qeverinë mbetet si datë kyçe takimi i Eurogrupit i 8 dhjetorit.

Në të njëjtën kohë, ai nënvizoi se gjatë telekonferencës nuk u diskutua mundësia e një propozimi për zgjatjen e memorandumit.
“Primare është të finalizojmë kontrollin aktual dhe të shkojmë më tej. Për ne është primare të mbyllim vlerësimin”, shtoi.

Në telekonferencën që filloi në orën 23:00 të së enjtes dhe përfundoi sot në mëngjes në orën 03:00, merrnin pjesë ministri grek i Financave, Gjikas Harduvelis, zëvendësministri i Financave, Jorgos Mavraganis dhe këshilltarët e kryeministrit, Stavros Papastavru dhe Hrisanthos Lazaridhis.