Arvizu: Mos lejoni kriminelët të përfitojnë nga krimi

Arvizu: Mos lejoni kriminelët të përfitojnë nga krimi

Arvizu: Mos lejoni kriminelët të përfitojnë nga krimiAmbasadori i SHBA-së në Tiranë Aleksandër Arvizu ka kërkuar bashkëpunimin e të gjithë aktorëve për të sekuestruar pasuritë e ardhura nga krimi i organizuar.

Duke folur në ceremoninë e nënshkrimit të memorandumit të bashkëpunimit me Agjensinë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara, Arvizu i bëri thirrje Prokurorisë  të bëjë çdo përpjekje për të sekuestruar pasuritë e ardhura nga krimi i organizuar dhe korrupsioni.

“Konfiskimi i pasurive është shumë i rëndësishëm. Kriminelët nuk duhet të lejojhen të përfitojnë nga krimet e tyre. Sekuestrimi i pasurive nga krimi parandalon financimin të veprimtarive të tyre të paligjshme. Në bazë të ligjit antimafia prokuroria ka autoritetin në të gjitha çështjet e konfiskimit. Prokurorët nisin procesin fillestar por ka aktorë të tjerë të cilët luajnë një rol të rëndësishën për këtë proces. ” theksoi Arvizu.

Ndërsa ministri i financave Ridvan Bode theksoi se Shqipëria ka bërë hapa përpara në luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit. Sipas tij gjatë viteve të fundit është forcuar kuadri ligjor për luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit.

“Lufta kundër krimit të organizuar është e vështirë por jo e pamundur. Ky memorandum bashkëpunimi bën të mundur që pasuritë e sekuestruara nga krimi të jënë sa më të prekshme” theksoi Bode.

Nga ana e tij ministri i Drejtësisë Eduard Halimi ka deklaruar se janë bërë hapa konkretë në luftën kundër krimit të organizuar. Sipas tij, pasuritë e sekuestruara do të përdoren për luftën kundër krimit të organizuar.

“Lufta ndaj krimit të organizuar është ndër prioritetet tona. Krimi i organizuar duhet goditur atje ku i dhemb më shumë, në pasurinë e tij. Veprimtaria e grupeve kriminale të organizuara është e rrezikshme për të gjithë shoqërinë. Pasuritë e ardhura nga krimi i organizuar do të shiten dhe shteti do të financojë mjetet për të luftuar krimin” theksoi Halimi.

Ndërkohë Ministri i Brendshëm Flamur Noka ka kërkuar bashkëpunimin e të gjithë aktorëve politikë për luftën kundër krimit të organizuar ndërsa premtoi se institucioni që ai përfaqëson do të jetë shembull në bashkëveprimit  ndër institucional.

“Lufta e suksesshme ndaj krimit kërkon bashkëpunim  dhe vullnet politik. Me rëndësi lufta pa kompromis ndaj krimit  të organizuar. Hetimi i aseteve kriminale me rëndësi në luftën ndaj krimit të organizuar” tha Noka

Nga ana e tij Ministri i Transportit Sokol Olldashi theksoi se nënshkrimi i memorandumit të bashkëpunimit është me rëndësi në luftën ndaj veprimtarive kriminale.

“Ky proces mund të rrisë efikasitetin tonë, por duhet ende punë.  Duhet të rrisim edhe kulturën qytetare ndaj refuzimit, që vjen nga bizneset e lidhura me krimin. Ministria e Transporteve  do të bëjë gjithçka që të ndihmojë në luftën ndaj këtij krimi” shtoi Olldashi.

Ndërsa Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla ka deklaruar se  aktiviteti i paligjshëm ka njohur sofistikim të vazhdueshëm ndwrsa kërkoi bashkëpunimin e të gjitha institucioneve në luftën kundër krimit të organizuar.

“Krimi i organizuar kërkon ndërhyrje të menjëhershme dhe të koordinuar institucionale. Shqipëria është vend i hapur dhe janë  të shumta mundësitë për transaksione të paligjshme prandaj duhet tw përdoren të gjitha mjetet për luftën ndaj krimit të organizuar. Eksperienca ka treguar se suksesi i ligjit antimafia është i mundur falë bashkëpunimit mes organeve ligjore ” shtoi Llalla.

Memorandumi i bashkëpunimit u nënshkrua mes Agjensisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara dhe ministrave Ridvan Bode, Eduard Halimi, Flamur Noka dhe Sokol Olldashi si dhe prokurorit të përgjithshëm Adriatik Llalla.