Arta Dobroshi: Me rolin e moldavianes thyej paragjykimet

Arta Dobroshi: Me rolin e moldavianes thyej paragjykimet

Nuk kanë qenë mbi një mijë veta që brenda një nate kanë paguar nga 20 dollarë për ta parë filmin ashtu sikurse ka qenë në Festivalin e Torontos para një jave, por për Arta Dobroshin e cila luan njërin nga rolet kryesore në “Tri botët”, shfaqja e tij në vendlindje ka qenë shumë më e rëndësishme sesa çfarëdo shfaqje tjetër.

”Është vendi im. Dhe jam kënaqur që është dhënë edhe këtu”, ka thënë aktorja kosovare me nam botëror. Filmi “Tri botët” nën regji të Catherine Corsinit, në të cilin, përpos Dobroshit, luajnë edhe Raphael Personnaz e Clotilde Hesme, si premierë botërore është dhënë në festivalin e Cannes para disa muajsh.

Por një ditë pas premierës në Prishtinë aktorja kosovare në një bisedë me “Kohën Ditore” ka folur rreth asaj sesi e ka përjetuar gjithë rolin. “Është një rol që thyen paragjykimet”, thotë Arta. E për këtë “historia” nis qysh me kërkesat e regjisorit për natyrën e roli.

Dobroshi luan rolin e Verës, një moldaviane që jeton në Paris. Filmi nis me botën e parë, ajo e burrit Al, i cili për dhjetë ditë do të martohet, por që gjatë vozitjes godet njërin dhe ik. Dikush e sheh. Këtu fillon bota e dytë. Ajo është Juliette një vajzë nga Parisi, e cila tenton t’i ndihmojë burrit të shtrirë në rrugë dhe tenton të gjejë atë që e ka bërë krimin. E gruaja e viktimës është Vera një moldaviane në Paris. Ajo kupton se burri i saj mund të vdesë dhe lidhet me Juliette. Kësisoj lidhen tri botët.

“Bota ime më ka pëlqyer shumë. Por edhe jam munduar shumë për këtë rol”, ka thënë Dobroshi, tek komenton zanafillën e rolit. Ajo kishte lexuar skenarin dhe me t’u njohur me personazhin e saj, e ka ditur se nuk dëshiron të luajë rolin e një vajze tipike nga Moldavia.

“Ajo është një femër shumë e fortë, që vjen nga Moldavia e që i ndodh diçka e keqe”, ka thënë Dobroshi, teksa ka shpjeguar natyrën e personazhit të saj në film. Kur e kishte marrë skenarin, regjisorja do të kërkonte nga Dobroshi që të ndryshonte pamjen. Të ndryshonte ngjyrën e flokëve dhe mënyrën e veshjes. Të dukej më moldaviane.

“Por kam insistuar që të mbaj ngjyrën time dhe të kem veshje të zakonshme”, ka thënë Dobroshi. Për këtë Arta ka arsye.

“Ideja ka qenë që të thyej këta stereotipa”, ka thënë Dobroshi.

E për të njohur më mirë natyrën e qytetarëve të Moldavisë në Paris, Dobroshi thotë të ketë pasur shumë takime me ta.

“Ata mi kanë treguar vështirësitë e të jetuarit në Francë, duke qenë moldavian. Jam prekur shumë prej mënyrës së trajtimit të atyre njerëzve dhe i falënderoj që m’i kanë treguar ato”, ka thënë ajo. Kësisoj Dobroshi thotë të ketë ndier përgjegjësi të madhe teksa ka portretizuar këtë vajzë. “Ky rol u dedikohet atyre njerëzve”, ka thënë ajo. Thotë se është munduar të bindë njerëzit edhe për shqiptarët, të cilët, siç thotë vetë Dobroshi, janë “njerëz të kulturuar, të bukur dhe që dinë shumë gjuhë”. Roli në “Tri botët” për Dobroshin tregon se mund të jesh edhe nga Parisi e të ndodhë diçka e keqe në Paris dhe në mungesë të parasë nuk ke fuqi të ndryshosh gjërat e kësisoj edhe përbuzesh.

Skena më emocionuese për aktoren kosovare ka qenë ajo kur Vera – e cila kupton se burri i saj ka vdekur – shfryhet para doktorëve të cilët dëshirojnë t’ia marrin organet e burrit të saj, tashmë të vdekur. Vera u drejtohet doktorëve: “Çka po mendoni, doni të ia merrni organet burrit e të mos paguani?”. “Shkaku i sistemit tuaj jetoj në mezerie….e tani dëshironi t’ia merrni organet burrit tim”.

“Ka qenë diçka kulmore dhe shumë prekëse”, thotë Dobroshi për këtë skenë. Dobroshi – e cila ka marrë pjesë në premierën e së enjtes në Teatrin Kombëtar të Kosovës – ka thënë se është ndier e lumtur që e ka ndarë kënaqësinë e shfaqjes së filmit me njerëzit që i do. “Ka qenë një natë e bukur ku njerëzit janë kënaqur duke shikuar film”, ka thënë Dobroshi, teksa ka përshkruar natën e së enjtes. Gazeta ka qenë aty, por nuk i është lejuar të hynte në TKK. Këtë e ka penguar Fatos Berisha, drejtor i Qendrës Kinematografike të Kosovës.

Në Prishtinë nuk ka qenë asnjë anëtar tjetër i ekipit të filmit që, sipas Dobroshit, ka qenë shkaku i angazhimeve të shumta.

“Dy aktorët dhe regjisorja kanë pasur dëshirë të vinin, por kanë qenë në udhëtime”, ka thënë Dobroshi. Aktorja kosovare e bërë e njohur me filmi “Heshtja e Lornës”, i shfaqur në Cannes, shumë shpejt thotë se do të lansohet edhe filmi i ri i shkurtër “Nana”, i realizuar nga regjisori britanik Daniell Mulloy. Ai dhe Arta janë duke punuar edhe në filmin e tyre të ri të metrazhit të gjatë “Mitrovica”, i cili, sipas Dobroshit, është në fazën e dytë të përpunimit të skenarit.

E “Tri botët” pas Prishtinës do të prezantohet edhe në një festival në Belgjikë e më pas parashihet të shfaqet nëpër kinematë evropiane brenda këtij viti. Prej vitit të ardhshëm do të jepet edhe në kinematë amerikane.