++

Arrestohet polici i dyfishtë Lubisha Vujinovic

Pjesëtari i Policisë së Kosovës, Lubisha Vujinovic njëherësh edhe punëtor i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë është arrestuar si i dyshuar në lidhje me vrasjen e Hakif Mehmetit në veri të Mitrovicës.

Zyrtar policor në Mitrovicë kanë deklaruar se te i dyshuari është gjetur kartela e MUP-it të Serbisë dhe kartela identifikuese, që e dëshmojnë veprimtarinë e tij të dyfishtë.

Raportohet se hetimet për vrasjen kanë orientuar në zbulimin e veprimtarisë ilegale të policit serb të Kosovës.

Ndryshe, Vujinovic mbante një klub të bilardos në këtë lagje dhe ka pasur raporte të mira me Hakif Mehmetin, ndërsa para se të ndodhte vrasja, viktima kishte qëndruar në lokalin e policit të dyfishtë dhe ky i fundit e kishte dërguar atë në spital.

Zyrtarët policor deklarojnë se Vujinovic ishte kontaktuar nga policia për shkak se ka qenë ndër personat e fundit që kanë kontaktuar me Mehmetin, para se ai të vritej. Ai është ndaluar nga policia për të nisur procedurat fillimisht disiplinore, e më pas edhe penale.