policia kufitare_407456_thumb_large

Arrestohen 19 persona, identifikohet 1 viktimë e trafikimit

Njësitet e Policisë së Kosovës, kanë ndërmarrë një aksion të koduar OKI në dy lokalitete në afërsi të Gjilanit, me ç’rast janë arrestuar 19 personave të dyshuar për trafikim me njerëz dhe prostitucion, si dhe është identifikuar një viktimë e trafikimit, e cila tashmë është strehuar në institucionet përkatëse. 

Operacioni OKI kishte filluar qysh para disa muajve, pas pranimit të informacioneve të marra në rrugë të ndryshme operative dhe pastaj hetuesit kishin arritur të zbulojnë dy lokacione, ku dyshohej se kryheshin vepra të kundërligjshme.

Duke e quajtur operacionin e suksesshëm, kryesuesi i Departamentin Kundër Krimit të Organizuar në Policinë e Kosovës, Gazmend Hoxha tha se hetimet ende janë duke vazhduar dhe se ka gjasë të ketë bastisje dhe arrestime të tjera.

“Departamenti Kundër Krimit të Organizuar, respektivisht drejtoria e Hetimit të Trafikimit me Qenie Njerëzore, dje në datën 13 gusht 2011 ka zhvilluar operacionin e koduar OKI. Gjatë këtij operacioni janë arrestuar 19 persona të dyshuar. Këta dyshohen për kryerjen e veprave penale të trafikimit me qenie njerëzore (neni 139), mundësimit të prostitucionit (neni 201) dhe marrje me prostitucion, e cila vepër është më shumë se vepër e kundërvajtjes penale. Po ashtu, gjatë operacionit është identifikuar edhe një viktimë e trafikimit, e cila është asistuar dhe strehuar në strehimore të sigurta”, deklaroi Hoxha.

Zyrtarët policorë konfirmuan se prej 19 të arrestuarve, 6 janë shtetas të Kosovës, kurse 13 janë femra, që të gjitha të nacionalitetit serb.

Bëhet e ditur se në zbatimin e këtij operacioni, kanë marrë pjesë hetuesit e Drejtorisë së Trafikimit me Qenie Njerëzore të mbështetur nga Njësitë Operative Mbështetëse të rajonit të Prishtinës, ndërsa i gjithë operacioni është autorizuar dhe mbikëqyrur nga Prokurori Publik i Qarkut në Gjilan.

Ndërkaq gjatë periudhës janar-qershor të vitit 2011, Policia e Kosovës ka ndërmarrë gjithsej 171 operacione, ku janë kontrolluar 218 kafebare dhe janë arrestuar 77 persona, ku 14 prej tyre janë të gjinisë femërore.