Arrest shtëpiak për aktivistët e Vetëvendosjes
Gjykata komunale e e Podujevës, e udhëhequr nga gjyqtari Behxhet Muçiqi, të hënën në orët e mesnatës, ua ka shqipuar masën e arrestit shtëpiak prej 15 ditëve nëntë aktivistëve të Levizjes Vetëvendosje për shkak të pjesëmarjes në protestën e 14 janarit.
Në seancë e gjatë prej 6 orëve kjo masë u është shqiptuar këtyre aktivistëve: Frashër Krasniqit nga Prishtina, Salih Zybës nga Prishtina, Hysen Durmishit nga Prishtina, Naim Bunjakut nga Vushtrria, Bekim Sylejmanit nga Mitrovica, Genc Musës nga Podujeva, Musa Ajetit nga Mitrovica, Gezim Hysenit nga Podujeva e Sabri Bajraktarit nga Dragashi.
Vendimet për arrest shtëpiak nuk i pranuan asnjëri nga aktivistët e Vetëvendosjes, përveç Sabri Bajraktarit, i cili, siç është shprehur në seancën dëgjimore, më 14 janar ëshë arrestuar nga policia, pa ditur shkakun dhe arsyen.
”Unë atë ditë kam ardhur me një mik timin nga Dragashi për të shitur një veturë në Podujevë dhe, pasi kemi pirë një kafe në pompën e derivateve ‘Albi Petrol’, ku më herët kishim caktuar takimin, në dalje e sipër nga kafiteria jam arestuar nga policia speciale e Kosovës dhe jam rrahur pa pikën e fajit. Nuk kam ditur se atë ditë ka protestë në Podujevë, sepse as nuk jam anëtar i Vetëvendosjes”, ka thënë Bajraktari.
“Ata pa lejen e gjykatës nuk kanë të drejtë të gjenden jashtë shtëpive të tyre dhe në rast se zihen jashtë shtëpive dërgohen drejt në burg”, ka thënë gjykatësi Muçiqi.
Prokuroria Publike e Prishtinës të gjithë të arrestuarit i kishte akuzuar për dyshim të veprës penale të bazuar të secilit veç veç për pjesëmarrje në protestën e 14 janarit të Levizjes së Vetëvendosjes, e të cilët kanë penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare nga neni 316 paragrafi 1. i KPK-së.
“Të pandehurit, përveç që kanë penguar lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe automjeteve, kanë kundërshtuar urdhërat e policisë. Ata kanë gjuajtur me gurë, kocka prej betoni dhe mjete të tjera të forta. Gjykata ka lëshuar urdhër arrest lidhur me veprat penale të kryera me herët dhe kërkohet që të caktohert masa e baraburgimit ndaj pandehurve”, u tha në kërkesën e prokurorit Ilaz Beqiri.
Pas dëgjimit të akuzës, pala mbrojtëse e avokatëve ka kërkuar lirimin e menjëheshëm të klientëve të tyre, pasi edhe ashtu kishte kaluar afati i parabirgimit prej 48 orëve të klientëve të tyre dhe në këtë rast Gykata ka shkelur ligjin, duke i majtuar ata në arrest më tepër se 48 orë.
Avokati Xhevat Rama tha se këta janë mbajtur sikur me qenë në shtëpitë private, e jo në paraburgim. Ndërsa mbrojtësi i bekim Sylejmani, Mahmut Hoti, tha se klienti i tij, Vekim Sylejmani, sikur edhe të gjithë të pandehurit tjerë nuk kishte marrë pjesë në kurfarë “grupi kriminal”, siç thuhet në aktakuzën e prokurorit, përveç që ka marrë pjesë në një protestë tërsisht paqësore.
Gjatë pritjes së vendimit të Gjykatës, aktivistët e Vetëvendosjes kanë përshkruar dhunën, siç kanë thënë, e shfrenuar të policisë speciale të Kosovës më 14 janar. Naim Bunjaku nga Vushtrria ka treguar se s’ka pjesë të trupit qe nuk po i dhembë nga goditjet e policisë gjatë kohës së arrestimit.
“Fati im ka qenë në momentin kur pranë policisë kanë kaluar disa zyrtarë të EULEX-it dhe njëri prej tyre policëve u ka urdheruar që të kenë kujdes kolegët e tij, se aty pari po kalojnë zyrtarët e EULEX-it. Për dhunën që është ushtruar ndaj meje si aktivistë i VV, që kam qenë i angazhuar me mbajt rendin për mos të ndodhur asnjë ekces nga ana jonë, ekzistojnë edhe fotot që më janë bërë nga avokati i popullit, Sami Kurteshi, ditën e arrestit në stacionin e policisë në Podujevë”, ka thënë ai.