Arben Imami “harron” dietat, pa ushqim 7 mijë ushtarakë

Arben Imami “harron” dietat, pa ushqim 7 mijë ushtarakë

Arben Imami “harron” dietat, pa ushqim 7 mijë ushtarakëMinistria e Mbrojtjes kishte miliona për të hedhur në fushatë për reklamë në media apo aktivitete të tjera në shërbim të fushatës elektorale, ndërkohë që nuk paguan dietat e ushtarakëve qysh prej 7 muajsh.

Që nga muaji Janar 2013 e deri në 29.07.2013, rreth 7000 ushtarakëve të Forcave të Armatosura nuk u është paguar trajtimi ushqimor në lekë që i përket rreth 8000 lekë të reja në muaj. Pavarësisht se për vonesat janë vënë në dijeni personalisht kryeministri në detyrë Sali Berisha, Ministri i Mbrojtjes Arben Imami dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Gjen.

Xhemal Gjunkshi, nuk ka pasur asnjë reagim. Në bazë të rregullave në fuqi, të gjithë ushtarakët aktiv si ushtarë profesionistë, nënoficerë dhe oficerë në Forcat e Armatosura paguhen me 400 lekë në ditë për trajtimin ushqimor sipas vendimit të Këshillit të Ministrave. Trajtimi ka filluar që nga viti 2008 dhe duke llogaritur me 22 ditë pune në muaj, afërsisht shkon në 8000 lekë të reja. Ushtarakët shprehen se dietat janë marrë deri në Dhjetor të 2012-s rregullisht.

Por, situata është përkeqësuar këtë vit kur fondet janë hequr. Që nga Janari e deri më tani nuk janë dhënë lekët. Nga Ministria e Mbrojtjes, në çdo fillim viti, del urdhri i ministrit të Mbrojtjes për lëvrimin e fondit, gjë e cila nuk ka dalë nga ky dikaster. Në total janë 392.000.000 lekë detyrime që Ministria e Mbrojtjes i detyrohet për 7 muaj rreth 7 mijë ushtarakëve. Kjo shifër është pothuaj e papërballueshme nga dikasteri i Mbrojtjes. Burime nga ky institucion bëjnë të ditur se ushtarakëve u është premtuar marrja e dietave të prapambetura para zgjedhjeve të përgjithshme të 23 qershorit. Për shkak të frikës së largimit nga puna, shumë prej ushtarakëve kanë heshtur për të denoncuar rastin. Edhe kur ka kaluar më shumë se një muaj nga përfundimi i procesit zgjedhor shanset sipas ushtarakëve të kontaktuar nga “Shekulli” janë fare të vogla. E vetmja shpresë, sipas tyre është muaji shtator, kohë që përkon me formimin e qeverisë së re, e cila pritet që të përballet me një gropë tejet të madhe në buxhetin e Ministrinë së Mbrojtjes së krijuar nga drejtuesi e mëparshëm.

Strategjia e shkurtimeve nga puna

Deri në 2015-n do të lirohen 1700 ushtarakë. Rreth 1700 ushtarakë parashikohen që të dalin në lirim gjer në vitin 2015. Sipas strategjisë së hartuar nga qeveria shqiptare, për të balancuar raportin e buxhetin e ushtrisë sugjerohet shkurtimi i personelit. Parashikimet e Ministrisë së Financave për mbështetjen me burime të mbrojtjes gjatë periudhës afatmesme, variojnë nga rreth 19.000.000 lekë për vitin 2012, në rreth 20.000.000 lekë për vitin 2020 ose mesatarisht 1.3 % deri në 1.2 % të GDP-së. “Duke punuar në këta terma, analiza e Rishikimit të Strategjisë së Mbrojtjes arriti në përfundimin se ulja e numrit të personelit nga 10,190 në fund të vitit 2012 në rreth 8,500 vetë në fund të vitit 2015, mundëson rialokimin e fondeve për të ruajtur dhe për të forcuar kapacitetet operacionale ekzistuese, duke mbajtur zhvillimin e kapaciteteve të forcës së armatosur”, theksohet në strategjinë e përgatitur nga qeveria shqiptare. Ushtria parashikon që shpenzimet për personelin, ku përfshihen pagat dhe sigurimet shoqërore, do të jenë nga 6,692 milionë lekë (50.2 %) në vitin 2013 deri në 7.269 milionë lekë (46.7 %) në vitin 2020. Numri i personelit do të ketë një reduktim gradual nga 10,190 në fillim të vitit 2013 në rreth 9,000 në vitin 2014, duke pasur si objektiv arritjen e numrit 8500 vetë në fund të vitit 2015. Ky numër presupozohet të mbetet konstant deri në vitin 2020. Sa i përket shpenzimeve për operacionet dhe mirëmbajtjen, ato do të kapin vlerën 3,394 milionë lekë (25.5%) në vitin 2013 deri në 4,445 milionë lekë (28.6%) në vitin 2020. Sipas ministrisë, rritja e operacionalitetit në ushtri do të synojë të jetë në proporcion të drejtë me modernizimin e pajisjeve dhe teknologjisë që parashikohet të futet gjatë kësaj periudhe. Sa i përket shpenzimeve për investimet, do të jenë nga 3,242 milionë lekë në vitin 2013 deri në 3,853 milionë lekë në vitin 2020.

Shkurtimet

Për kalimin nga forca aktuale me personel prej 10.190 në forcën e ardhshme me personel prej 8500, do të hartohet një plan i detajuar i zbatimit. Ky plan të përputhet në vija të përgjithshme me nivelet e mëposhtme të pritshmërisë së madhësisë së personelit gjatë periudhës trevjeçare:

– Viti 2013- Madhësia e forcës do të shkojë në një personel prej 9600

– Viti 2014 – Madhësia e forcës do të shkojë në një personel prej 9000

– Viti 2015 – Madhësia e forcës do të shkojë në një personel prej 8500.

[B]Opinion/Mehdi Pogaci[/B]

[I]President i Shoqatës Kombëtare të Ushtarakëve në Rezervë të Shqipërisë[/I]

Turp për një ushtri të NATO-s

Shoqata Kombëtare e Ushtarakëve në Rezervë të Shqipërisë u njoh me skandalin e radhës te Ministrisë se Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura për mosdhënien 7 mijë ushtarakëve të pagesës mujore për ushqimin, duke filluar nga muaji janar i këtij vitit. Kjo cenon rëndë si anën financiare të ushtarakëve aktivë, ashtu edhe legjislacionin në fuqi përkatës për këtë aspekt të të ardhurave personale të ushtarakëve aktivë. Mosdhënia e trajtimit ushqimor 7 mijë ushtarakëve aktivë nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes është jo thjesht një moskokëçarje e mospërfillje ndaj gjithë trupës së ushtarakëve, por është njëkohësisht një vjedhje e të ardhurave të tyre, të përcaktuara me ligje dhe me akte nënligjore. Ky, si përvetësim i paautorizuar, është, njëkohësisht një krim dhe duhet të trajtohet penalisht nga ana e organeve të prokurorisë. Kanë kaluar tashmë 7 muaj dhe shumat përkatëse që u përvetësohen këtyre 7 mijë ushtarakëve aktivë, për secilin prej tyre është 7 x 8.000 = 56.000 leke ose 560 mijë lekë të vjetra dhe e shumëzuar për 7000 ushtarakë arrin në vlerën e 392.000.000 lekë te reja ose mbi 3 miliard lekë të vjetra. Për shuma të tilla Ministri i Mbrojtjes dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm nuk duhet të presin shtatorin, por të japin dorëheqjen menjëherë dhe ta lënë vendin e tyre vakant.

Më mirë vendi bosh se sa me njerëz të papërgjegjshëm për fatin e ushtarakëve dhe, për pasoje, për fatet e sigurisë së mbrojtjes dhe sigurisë kombëtare. Për trajtimin e ushtarakeve aktivë, por edhe të atyre në rezervë, ish-mazhoranca në ikje ka treguar papërgjegjshmëri dhe deri armiqësi, duke i trajtuar ata çdo ditë e më keq, ligjërisht dhe praktikisht dhe duke i kthyer në njerëz të frikësuar e të mefshtë, të cilët kanë frike për bukën e gojës. Është turp për një vend anëtar të NATO-s të ketë një trajtim të tillë financiar për forcat e armatosura, ne një kohë që ushtarakët tanë trima e dinjitozë, luftojnë krah për krah me forcat e tjera të vendeve anëtare të NATO-s në Afganistan e gjetkë, por që trajtimi i tyre financiar, sidomos këtu në vendin e tyre, lë për të dëshiruar. Shoqata Kombëtare e Ushtarakëve në Rezervë të Shqipërisë shpreh indinjatën e saj për këtë akt të paprecedentë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm, si dhe shpreh përkrahjen e saj në mbrojtjen e të drejtave të ushtarakëve aktivë.

Në total janë 431 200 000 milionë lekë detyrime që Ministria e Mbrojtjes i detyrohet për 7 muaj rreth 7 mijë ushtarakëve. Të gjithë ushtarakët aktiv, si ushtarë profesionistë, nënoficerë dhe oficerë në Forcat e Armatosura trajtohen me 400 lekë në ditë për trajtimin ushqimor sipas vendimit të Këshillit të Ministrave.