Aplikimi për legalizim shkakton tollovi në Komunën e Prishtinës

Aplikimi për legalizim shkakton tollovi në Komunën e Prishtinës

Aplikimi për legalizim shkakton tollovi në Komunën e PrishtinësPak para se të përfundojë afati për legalizimin e objekteve pa leje, qytetarët po ankohen se vështirë po arrijnë edhe të futen në radhët e pritjes për të aplikuar.

Ajet Rexha punëtor i KEK-ut kishte marrë pushim për të ardhur në komunë që të aplikojë për ta legalizuar shtëpinë e tij, pa mundur të sigurojë numrin që ia mundëson pritjen para sporteleve dhe kryerjen e kësaj pune raporton Kallxo.com

“Erdha këtu në 7:00 ora, por thanë se numrat janë shkuar, numrat thanë që i jep sigurimi janë dhanë më herët, 500 numra. Sipas njerëzve po thonë se kanë shkuar. Qe njerëzit çka po bojnë po shtyhen, po fjalosen. A ka rregull unë nuk po e shoh se ka rregull”, foli Rexha i revoltuar.

Edhe Fadil Krasniqi që kishte ardhur po për legalizim të shtëpisë, pak më shumë se një orë pas Ajet Rexhës tregoi se po ashtu nuk mundi të sigurojë numër për pritje që të kryejë procedurat.

“Kam ardhur në ora 08:10, 08:20, për të marrë një numër për renditjen mirëpo ato ishin dhënë prej orës 03 deri ora 06 dhe në ora 06:30 ishe dhënë i fundit numri 500. Një parregullsi e madhe po gjendet në regjistrimin e legalizimeve me numrat që janë duke u shpërndarë”, u shpreh Krasniqi”.

Komuna vendosi ta aplikojë sistemin e dhënies së numrave duke u munduar të vërë rregull në raport me fluksin në rritje të aplikuesve që po vërshojnë sa më shumë që po afrohet përfundimi i afatit për nisjen e procedurave të aplikimit për legalizim.

Në janar kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti tregoi se si do të shkojë procesi i legalizimit.

“Më 5 shkurt të vitit 2015 përfundon regjistrimi i ndërtimeve pa leje, më 11 mars publikohet lista e të gjitha ndërtimeve pa leje. Të gjithë ata qytetarë që nuk e gjejnë veten në listë e kanë periudhën e ankesës dhe të përcaktimit se pse nuk janë në listë dhe në shtator të vitit 2015 fillon periudha e legalizimit e aplikimit për legalizim,” shpjegoi atëherë Ahmeti.

Shefi i Sektorit për Legalizim në Komunën së Prishtinës, Hazir Zhitia premtoi se që nga e mërkura do të vihet rregull rreth çështjes së numrave.

“Prej nesër pas vërejtjeve që edhe unë kam pasur prej qytetarëve nuk do të jetë ndarja e numrave edhe pse për mua është e panjohur ndarja e numrave ma herët sepse puna te ne fillon në orën tetë, në 20 në tetë ndahen. Numrat i ka ndarë sigurimi tani e tutje do të jetë edhe zyrtari jonë. Prej nesër nuk do të ketë asnjë problem dhe asnjë mundësi që dikush të marrë më herët numrin, apo para afatit të ditës së punës”, tha Zhitia.

Ai tregoi se procesi i legalizimit është i organizuar nga Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor në nivel shtetëror dhe është pritur një fluks i madh i atyre që duan të legalizojnë objektet pa leje.