amy_1708111029_1

Amy nuk do të duhej të dilte kurrë në skenën e Beogradit

 Ishte data 18 qershor dhe ajo ishte para një batalioni datash të koncerteve që do të shënonin turneun e rikthimit. Të gjitha u anuluan dhe gjithçka përfundoi me zemërimin dhe fërshëllimat e fansave në shenjë proteste përpara një ylli që nuk këndonte e mezi qëndronte në këmbë.

Hera e fundit që Amy Winehouse u ngjit në skenë ishte me 15- vjeçaren Dionne Bromfiled, një nga zërat më premtues të muzikës soul. Kishin lënë takim në “Roundhouse Camden” në Londër, mbrëmjen e 20 korrikut, tri ditë para vdekjes së këngëtares kontroverse.

Për spektaklin e saj në “Imunes Festival”, Bromfiled, e kishte menduar një duet me mikeshën dhe kolegen që e kishte zbuluar talentin e saj dhe që i kishte siguruar një kontratë diskografike.

“Dukej më në fund e qetë”, kujton ajo. “Kërceu shumë dhe këndoi pak, por të paktën kishte buzëqeshje. Një buzëqeshje e trishtuar, por që gjithsesi mbetej buzëqeshje. Ishte njëlloj si motra ime. Takoheshim disa herë në javë. Pasditeve, në shtëpinë e saj, hanim mëngjes dhe lyenim gishtat e këmbëve me manikyr përpara televizionit teksa shikonim serialin tonë të preferuar ‘My name is Earl’”, ka rrëfyer Bromfiled.

Ajo ka ndarë kujtime nga takimet e fundit me këngëtaren “rebele”, zëri i së cilës ndryshoi muzikën soul dhe jazz.

“Gatuante shpesh ndonjë drekë të shpejtë, duke e marrë frymëzimin nga një libër me receta gatimi që nuk e lëshonte kurrë. Përpara meje nuk bënte asnjëherë asnjë çmenduri. Më kërkonte këshilla për gjithçka, si për shembull: ‘sipas teje, a jam e aftë të jem në jurinë e ‘X Factor’? Unë iu përgjigja: jo, je shumë e ëmbël dhe e sjellshme për të qenë anëtare jurie”.

Saksofonisti Neal Sugarman, me të cilin Amy kishte bashkëpunuar në realizimin e albumit “Back to Black”, e kujton këngëtaren si vajzë të brishtë, të pambrojtur, por edhe një grua shumë të vetmuar, e cila frekuentonte më shumë shishet e vodkës dhe drogën sesa njerëzit e vërtetë.

“Të hyje në studion e regjistrimit me të, prej kohësh nuk ishte ndonjë gjë e këndshme. Me dëshpërim kërkonte të këndonte, por zëri nuk dilte më si më parë, dukej sikur ishte shuar, sikur talenti i saj ishte ‘mbytur’ në një nga ato koktejet e shpifura që i shkatërruan ekzistencën”, kujton Sugarman.

Pak para vdekjes, Amy ishte duke punuar për albumin e saj të tretë, dhe kjo dukej se do ta nxirrte nga rruga që dukej pa kthim. “Për fat të keq, nuk ishte më spektakël teksa e shihje. Amy nuk ishte më argëtuese si më parë. Herën e fundit që e kam takuar në Londër, më kapi pikëllimi në shpirt. Të gjithë shpresonin që do shpëtonte, por në realitet ishim të ndërgjegjshëm se si do të përfundonte”, ka rrëfyer ai.

Kur vdiq, ajo ishte krejt e vetme. Para se të shuhej e rrethuar nga kokaina e alkooli, për shumë kohë e mori zakon të luante me një def.

“Deri në agim, derisa kishte fuqi”, kanë rrëfyer fqinjët e saj.

Zalon Thompson, njëri nga anëtarët e bendit të Amyt, thotë se vdekja e saj ishte pritur.

“Të gjithë e dinim që herët apo vonë do të vinte telefonata që ne nuk do ta donim kurrë”, ka thënë Thompson.

Ky i fundit u cilësua edhe si heroi i koncertit në Beograd, për shkak të përpjekjeve të tij ekstreme për të mbajtur gjallë koncertin ku Amy thuajse nuk ekzistonte.

“Ishin shtatëdhjetë minuta torturuese”, kujton Thompson.

“Shkonte para mikrofonit, pastaj largohej në mënyrë të dëshpëruar me duart në gjoks. Shumë herë iu afrova për ta pyetur nëse ishte mirë, por në të vërtetë ishim në mes të një katastrofe me njerëzit e mërzitur nga ai spektakël. Amy ishte duke qarë”, ka thënë ai.

Sipas Thompson Amy nuk do të duhej të dilte kurrë në skenën e Beogradit.

“Aty e kuptoi se nuk ishte më në gjendje të performonte”, ka thënë ai.

Sipas tij, ajo e kishte kuptuar këtë edhe para se të turpërohej përpara 20 mijë fansave, por bëhej fjalë për shumë para, një angazhim për t’u respektuar dhe një mendje e paaftë për të marrë vendime.

Ana Zoe Kida, këngëtare e rock grupit serb, ‘Zemlja Gruva’, që performoi në Beograd gjysmë ore para Amy-t, ishte dëshmitare e atij momenti tragjik dhe mori pjesë drejtpërdrejt në fundin e një miti.

“Nuk kisha parë kurrë diçka të tillë. Amy nuk donte të ngjitej në skenë dhe u përpoq me të gjitha mënyrat që të ikte. Një çmenduri e vërtetë, deri kur katër roja sigurimi e ngritën në krah dhe e shtynë drejt skenës. Ishte e qartë se nuk do të mund të këndonte dot. Ajo vajzë kishte vetëm nevojë për ndihmë”, ka thënë Zoe Kida.