“Amsterdam Express” premierë në Tiranë

“Amsterdam Express” premierë në Tiranë

“Amsterdam Express” premierë në TiranëFilmi më i ri i regjisorit Fatmir Koçi “Amsterdam Express” sot do të jepet premierë në Kinemanë Millenium. Në këtë film, Koçi vjen dhe si bashkëskenarist me autorin e njohur të filmave evropianë Jonatan Preece. Ndërsa fabulën e filmit, regjisori Koçi e ka shpjeguar vetëm me një fjali.

“Kontradiktat e njeriut që do bukur e vërtetësisht, por për të pasur gjithçka është i rrethuar nga krimi”, ka shpjeguar Koçi.

Filmi “Amsterdam Express” është xhiruar për 33 ditë, 10 ditë në Holandë dhe 23 në Tiranë, ngase fabula e këtij filmi shtrihet në këto dy shtete. Si të gjithë filmat tjerë që pasqyrojnë tranzicionin, edhe në “Amsterdam Express” ka qenë e pamundur shmangia edhe e një vendi tjetër për t’i bërë xhirimet.

Ky film, që fillimisht ishte menduar të quhej “Londra në çatine time”, rrëfen historinë e një të riu shqiptar emigrant në Amsterdam, i cili është i kapur mes rreziqeve dhe joshjeve të qytetit të pasur, kërcënimeve të trafikantëve të seksit e drogës, por dhe martesës me një vajzë holandeze.

Ndërsa në vendin e tij të prapambetur e pret një dashuri e vërtetë. Është historia e Bekimit, 30 vjeç, i cili bën çdo gjë për të bërë para. Në të vërtetë ai kthehet duarbosh në vendin e tij, pasi ka dhënë paratë e fundit për të shpëtuar një vajzë me emrin Ana, nga dritaret në distriktin e Dritave të Kuqe.

Historia e trajtuar nga regjisori Koçi duket se ka brenda gjithë problematikat e shoqërisë shqiptare pas viteve ‘90.
Në role kryesore në këtë film interpretojnë aktorët Blerim Destani, James Biberi, Flonja Kodheli, Carolien Spoor, Natasha Goulden, Gert Ferra. Producentë janë Rozeta Feri dhe Blerim Destani.