Albin Kurti: Marrëveshja në Bruksel u bë tinëz popullit të Kosovës

Albin Kurti: Marrëveshja në Bruksel u bë tinëz popullit të Kosovës

Albin Kurti: Marrëveshja në Bruksel u bë tinëz popullit të KosovësLideri i Lëvizjes Vetëvendosje!, Albin Kurti, ka thënë se edhe bisedimet e zhvilluara në Bruksel por edhe edhe marrëveshja e arritur atje janë zhvilluar tinëz popullit të Kosovës dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës. Ai para gazetarëve është shprehur kundër një marrëveshje të tillë dhe kundër dialogut tinëz dhe pa kushte me palën serbe.

“Pikërisht me rastin e 8-vjetorit të 10 shkurtit të vitit 2007 kemi një marrëveshje të re që bëhet në Bruksel se si të ndahet gjyqësia e Kosovës nga Mustafa e Vucic-i midis serbëve e shqiptarëve gjithmonë me një kryetar serb.

Ne ende nuk e kemi parë marrëveshjen por edhe nuk kemi pse ta shohim për shkak se edhe bisedimet e zhvilluara në Bruksel edhe marrëveshja atje janë zhvilluar tinëz popullit të Kosovës dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës”, ka theksuar Kurti.

Ai ka thënë se dialogu në Bruksel nuk është dialog për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, por dialog për sabotimin e shtetësisë së Kosovës pasi sipas tij, Kosova nuk ka nevojë për pajtim me Serbinë në krye të së cilës janë pasardhësit e regjimit të Milosovic-it e të Seselj-it.

“Nuk pati as njoftim as leje nga Kuvendi i Kosovës për atë çka ndodhi në orët e hershme të mengjesit të ditës së sotme dhe është e qartë se dialogu në Bruksel nuk është dialog për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë por dialog për sabotimin e shtetësisë së Kosvës sepse Kosova nuk ka nevojë për pajtim me Serbinë në krye të së cilës janë pasardhësit e regjimit të Milosovic-it e të Seselj-it por Kosova ka nevojë për dekolonizim nga serbizimi që ia kanë bërë pushtetit gjatë shekullit 20 por edhe në shek 19 e madje edhe në shek 21”, ka thënë Kurti.

Ndryshe takimi i djeshëm i zhvilluar në Bruksel ndërmjet palës kosovare dhe asaj serbe ka rezultuar me arritjen e marrëveshjes për drejtësinë.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, pas takimit, ka deklaruar se me këtë marrëveshje mundësohet funksionimi i sistemit unik të drejtësisë në Kosovë dhe se kjo marrëveshje nënkupton shtrirjen edhe më tej të sovranitetit të Republikës së Kosovës në veri të vendit. Sa i përket temave të tjera ai ka thënë se tani nuk mund të flitet për to.

Mirëpo, kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vucic, ka deklaruar se me arritjen e kësaj marrëveshje fituese del të jetë Serbia dhe serbët e veriut, të cilët nuk do të mund të mbipërfaqësohen pasi që Gjykata e Mitrovicës do të ketë 9 prokurorë shqiptarë e 9 serbë. Sipas tij, në vazhdim të dialogut do të diskutohet edhe për pasuritë e Serbisë në Kosovë.