AKR: Kosova nuk është vend për eksperimente
Aleanca Kosova e Re ka reaguar kundër propozimeve që ka dhënë Grupi Ndërkombëtar i Krizave (GNK) për zgjidhjen e problemeve Kosovë-Serbi me dhënien e autonomisë veriut të Kosovës ose shkëmbimin e territoreve midis dy vendeve. Po ashtu kjo parti ka kritikuar diplomacinë kosovare për siç thuhet komoditetin e tepruar para fillimit të sesionit të radhës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
AKR-ja konsideron se Kosova nuk është vend për eksperimente, andaj dhe s’ka vend as për ide të tilla si ato të GNK-së. Për më tepër pas dhënies së mendimit këshillëdhënës të GJND-së, tërësisht në mbështetje të ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës, sipas AKR-së, e ardhmja e Kosovës dhe e qytetarëve të saj si në veri, ashtu edhe në jug është e garantuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Dokumentin Gjithëpërfshirës të Presidentit Ahtisari.
AKR-ja beson se është krejtësisht e paarsyeshme t’i jepet rendësi një propozimi të tillë të GNK-së, i cili, me apo pa qellim e venë në pikëpyetje statusin e Kosovës.
AKR-ja vazhdon te mbetet e shqetësuar me aktivitetet e pakta dhe të pa ndikim të diplomacisë kosovare ne prag të sesionit plenar të Asamblesë së Përgjithshme të OKB.