AKP shet 11 ndërmarrje për 2 milionë euro

AKP shet 11 ndërmarrje për 2 milionë euro

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) sot në ceremoninë e hapjes së ofertave të valës 44 të privatizimit, shpalli fituesit e përkohshëm të Ndërmarrjeve të Reja të tenderuar përmes metodës së Spin-off-it të Rregullt.

Gjithsej 11 Ndërmarrje të Reja ishin në dispozicion për shitje dhe janë pranuar 29 oferta. Vlera e tërësishme e ofertave më të larta ishte €2,099,161.

Ofertat janë hapur dhe rezultatet janë shpallur në mënyrë transparente, para përfaqësuesve të medieve dhe investitorëve të pranishëm.

Agjencia Kosovare e Privatizimit tani është duke punuar që të përfundoj të gjitha shitjet, në pritje të vendimit të Bordit të Drejtorëve të AKP-së.

Agjencia Kosovare e Privatizimit, eshte themeluar nga Kuvendi i Republikës së Kosoves si institucion i pavarur publik, duke pas parasysh se rindërtimi dhe zhvillimi ekonomik i Kosovës dhe mirëqenia e qytetarëve të saj është me rëndësi jetike dhe kërkon administrimin dhe privatizimin ose likuidimin me kohë të ndërmarrjeve në pronësi shoqërore.

Të vendosur për zgjidhjen e shpejtë të pasojave ekonomike dhe sociale të këtyre ndërmarrjeve shoqërore si dhe për nxitjen e investimeve në to, Agjencia ka mandatin dhe autoritetin për shitjen ose bartjen e këtyre ndërmarrjeve dhe/ose aseteve në investitorë privatë, ose likuidimin e tyre gjithnjë përmes një procesi të hapur, transparent, konkurrues dhe pa vonesa.

Është me rëndësi të ritheksohet përqendrimi i Agjencisë në përshpejtimin e shpërndarjes së 20% të hyrave për punëtoret e ndërmarrjeve, ku deri më tani nga fondi i privatizimit, punëtorëve të Ndërmarrjeve Shoqërore iu janë shpërndarë mbi 27 milionë euro.

Agjencia, deri më sot ka privatizuar 560 ndërmarrje të reja, prej të cilave 535 janë privatizuar përmes metodës së Spin Off-it të Rregullt, ndërsa 25 prej tyre janë privatizuar përmes metodës së Spin Off-it Special.

Nga privatizimi i këtyre ndërmarrjeve shoqërore deri më tani janë grumbulluar 451,583,542 euro ndërkaq nga procesi i likuidimit me shitje të aseteve të ndërmarrjeve janë grumbulluar 20,181,079 euro.