Aida Shtino: Më kanë kërcënuar disa herë, s’aspiroj që të martohem përsëri

Aida Shtino: Më kanë kërcënuar disa herë, s’aspiroj që të martohem përsëri

Në shtatë vite televizion ajo ka ruajtur të njëjtin profil në ekran. Ka mbyllur këtë javë sezonin televiziv, për t’u rikthyer sërish në vjeshtë në ekranin e TVSH-së.

Por çfarë ndodh në paskuintat e “Njerëz të humbur”, telashet dhe peripecitë që e shoqërojnë në jetën e saj gazetaren Aida Shtino. Në këtë intervistë zbulon pluset dhe minuset e gazetares investiguese, dhe jetën e saj tashmë si “mama single”

“Njerëz të humbur” ka mbyllur këtë javë sezonin e shtatë. Si e kujton veten shtatë vite më parë? Çfarë ka ndryshuar tek ti në këto vite televizion?
Kur kthej kokën pas në kohë dhe mendoj sa punë e përkushtim është dashur për të arritur deri këtu, gjënë e parë që bëj është të falënderoj Zotin për forcën dhe durimin që më ka dhënë të mos ndaloj udhëtimin tim misionar, pasi kështu do ta quaja tashmë, por të vazhdoj me më shumë përkushtim.

Në këta shtatë vjet televizion kam ndryshuar sigurisht në disa drejtime, në mënyrën e të perceptuarit të gjërave, por jam munduar që në thelb të jem po ajo. Jam përpjekur gjithmonë të jem sa më reale dhe e besueshme për publikun.
Në kaq vite punë ke ndërruar katër ekrane. Ke ndier se ke pasur armiq në karrierën tënde që të kanë detyruar të bësh lëvizje të tilla?

Jo, nuk besoj… Pastaj fjala “armik” është një fjalë e rëndë shumë. Personalisht unë jam munduar që të bëj vetëm mirë me aq mundësi sa kam pasur, pa i hyrë askujt në pjesë, duke respektuar me korrektësi çdo koleg. Prandaj nuk besoj se mund të kem bërë armiq.
Po nëse do flisnim për mbështetje, ka pasur persona që të kanë përkrahur dhe si?

Publiku është mbështetësi im më i madh dhe atij i detyrohem për gjithçka. Mbështetës quaj edhe njerëzit që kanë punuar me mua.
Dhe në këtë treg televizionesh, pyetja që lind është nëse do të shfaqesh sërish në ekranin e TVSH sezonin e ri, apo në një tjetër ekran?
Sigurisht që edhe këtë sezon të ri unë do të shfaqem sërish në ekranin e TVSH-së, dhe jam shumë e lumtur për këtë fakt.
Dihet se puna në kërkim të personave të humbur ka dhe aksionin e aventurën brenda. Të ka ndodhur të marrësh kërcënime nga persona të ndryshëm, si je ndier dhe si i menaxhon këto situata?
Po më ka ndodhur të më kërcënojnë, por jam munduar t’i anashkaloj duke mos u dhënë rëndësi. Pasi që në fillim kur i kam hyrë kësaj pune, kam marrë gjithçka parasysh. E dija që kjo rrugë do të ishte e vështirë.
Edhe për këtë arsye, ke menduar ndonjëherë që ta mbyllësh këtë program për të eksperimentuar në një format të ri, e për rrjedhojë për të pasur një jetë më të qetë?
Jo, që ta mbyll jo, përderisa unë kam rreth 4000 raste persona të denoncuar “të humbur” në emision, dhe prej tyre janë publikuar vetëm disa. Ndërsa për sezonin tjetër kam menduar të zgjerojmë pak tematikën e rasteve, si edhe mënyrën se si do t’i paraqesim te publiku.
Meqë “Njerëz të humbur” është një program dramatik në vetvete, çfarë programi argëtues do të kishe pasur dëshirë të prezantoje?
Për sa i përket se a do të dëshiroja të prezantoja ndonjë program argëtues, mendoj se nuk do të doja, pasi unë jam gazetare dhe do më duhej të dilja nga vetvetja në një rast të tillë. Gjë që unë s’e bëj dot, pasi atëherë s’do jem reale te publiku e në këtë mënyrë as edhe e besueshme.
Je komentuar gjithmonë si gazetarja më e paguar në televizion, ne krah të disa emrave më të njohur. Vazhdon të jesh ende një ndër moderatorët në krye të listës?
S’e di këtë fakt, dhe po e dëgjoj nga ju për herë të parë, pasi kurrë s’kam pyetur rreth kësaj teme në lidhje me të tjerët.
Mes shumë fansave që të komplimentojnë për misionin tënd në televizion, ke marrë ndonjë propozim për martesë nga njerëz që të kanë parë ndoshta vetëm nga ekrani?
Jo.
Tashmë je “single”. Është martesa e dytë një vendim që e aspiron në jetë, apo ke hequr dorë prej saj?
Nuk aspiroj asgjë më, por e marr jetën siç më vjen.
Meqë jemi para pushimeve, ku do të pushosh dhe me kë? Pushimet e tua do të kushtojnë?
Me djalin tim do pushoj, por se ku, ende s’e kemi vendosur. Kështu nuk dimë a do të na kushtojnë shumë apo jo.
Gjatë këtij sezoni të kemi parë në formë. Për ruajtjen e linjave vazhdon të mbash dieta, vrap apo palestër?
Pak nga të gjitha, por në fakt këtë sezon “Vip Line” është marrë seriozisht me linjat e mia e për këtë dua ta falënderoj./PanoramaPlus/