agron tufa

Agron Tufa e Besnik Krasniqi fitues të Çmimit “Rexhai Surroi”

Romani “Tenxherja” i shkrimtarit Agron Tufa është fitues i shpërblimit vjetor për letërsi “Rexhai Surroi”, për vitin 2010.

Autori e ka pranuar këtë çmim në një ceremoni solemne të mbajtur të mërkurën, para një audience me emra të shquar të shkencës, artit, kulturës e politikës. Gazetarit të “Kohës Ditore”, Besnik Krasniqi, i ka takuar shpërblimi për gazetari të shkruar.

Me tekstin e tij “Loja me milionat e shtetit”, të botuar në dhjetor të vitit 2009 në “Koha Ditore”, ai kishte arritur ta bindte Ministrinë e Arsimit, të Shkencës dhe të Teknologjisë për të anuluar një tender për digjitalizim të shkollave, që i ishte dhënë ofertës më të lartë, e me të cilin do të mund të dëmtohej buxheti i shtetit për rreth 24 milionë euro.

Një përmbledhje në rreth pesëmbëdhjetëminutëshe e momenteve më të rëndësishme të ceremonisë së edicionit të kaluar të ndarjes së shpërblimit vjetor për gazetari dhe letërsi “Rexhai Surroi”, ka qenë paralajmërim i vazhdimit të traditës.

U tha edhe që, sipas një maksime sportive, ekipi që fiton nuk duhet ndërruar, pos nëse kjo është e domosdoshme për shkaqe objektive, për të treguar se ekipi i jurive profesionale për të dy shpërblimet ka mbetur i njëjti. Kësisoj, akademikët Sabri Hamiti, Eqrem Basha dhe dr. Bardh Rugova kanë gjykuar për më të mirin në letërsi, ndërsa Zenun Çelaj, Kelmend Hapçiu e Naser Myftari atë për gazetari. Që në nisje të kësaj ceremonie, e para e kompanisë “Koha”, Flaka Surroi, ka thënë se është e sigurt se kjo ceremoni do të lërë kujtime të bukura dhe emotive.

Çmimi “Rexhai Surroi”, motiv për punë

Laureati i tretë i çmimit prestigjioz për letërsi, shkrimtari shqiptar, Agron Tufa, e ka cilësuar nder të veçantë për të, çmimin që mban emrin e gazetarit, shkrimtarit e diplomatit të shquar kosovar “Rexhai Surroi”.

“Do të përpiqem që këtë besim të jurisë ta marr si motiv për të shkruar edhe më”, ka thënë Tufa, i cili si për koincidencë për të shkruar veprën me të cilën u shpërblye ishte inspiruar në Prishtinë, në një vizitë të tij në vitin 2009, si pjesëmarrës në një konferencë shkencore.

Në arsyetimin e jurisë se pse “Tenxherja” meritoi shpërblimin kryesor për letërsi për këtë vit, e të cilin e lexoi akademik Eqrem Basha, u tha që Agron Tufa, poet, prozator, pedagog e studiues i letërsisë, është një nga autorët më produktivë dhe më të vlerësuar në dhjetëvjetëshin e fundit.
“I thellë dhe i ditur në ndërtimin e rrëfimit, Tufa edhe kësaj here dëshmohet si një nga mjeshtërit e veçantë të prozës në letërsinë më të re shqiptare”, ka lexuar Basha vendimin e jurisë.

“Në romanin ‘Tenxherja’ ka ndërtuar një rrëfim rrëqethës për fabrikimin e krimeve dhe fajeve politike në kurrizin e dërrmuar nga varfëria për fshatarët, në kohën e diktaturës më të egër komuniste që ka njohur ky krah i Evropës”.

Teksa ka treguar se juria njëzëri ka vendosur për laureatin, Basha ka thënë se në këtë kategori, juria është ndeshur me një ofertë të begatshme, e cila dëshmon që romani është bërë gjinia letrare më e kërkuar.

Shpërblimin “Rexhai Surroi” për romanin më të mirë të vitit më 2008 e ka fituar shkrimtari nga Maqedonia, Kim Mehmeti, ndërsa vitin e kaluar këtë çmim e ka marrë Ismail Kadare.
Gazetari Besnik Krasniqi, që u shpërblye me çmimin për gazetari për vitin 2010, ka pranuar se nuk mund të fshehë krenarinë që ka pas këtij shpërblimi.

“Konsideroj se çfarëdo fjale që do të thosha për personalitetin e z. Rexhai Surroit, do të ishte fare pak para kësaj audience që e kanë ndier punën dhe veprën e tij, kanë bashkëjetuar në kohën kur edhe ai ka qenë gjallë dhe ka vepruar”, është shprehur Krasniqi.

Doajeni i gazetarisë kosovare, Zenun Çelaj, ka lexuar vendimin e jurisë për gazetarin më të mirë e të cilin deri në ato momente ata që po e dinin emrin numëroheshin në gishtat e njërës dorë, ani pse fituesi dilte nga kompania që edhe ndan këtë shpërblim.

Çelaj ka treguar se sivjet për shpërblimin për gazetari të shkruar “Rexhai Surroi” kishin konkurruar gazetarë nga të përditshmet “Zëri”, “Lajm”, “Koha Ditore” e “Infopress”, dhe, sipas tij, thuaja secili nga tekstet ka qenë i denjë për këtë shpërblim.

“Ky fakt jurinë e ka vënë në goxha vështirësi për të marrë vendim se cilët nga konkurrentët do të shpërblejë”, ka thënë Çelaj, teksa ka shtuar se shkrimet e secilit prej konkurrentëve përveç nivelit profesional kanë pasur edhe jehonë e ndikim në zhvillimet në fushat përkatëse.
“Kanë detyruar institucione të shtetit që të pezullojnë vendime, ose individë që të japin dorëheqje nga postet problematike”, ka thënë Çelaj.

Tekstin “Loja me milionat e shtetit” të Besnik Krasniqit, Çelaj ka thënë se juria e konsideron si model të guximit profesional dhe të trajtimit në përgjithësi të temave, drejtpërdrejt në interes të publikut, të vendit dhe ligjit.

Vitin e kaluar, shpërblimi për letërsi i kishte takuar romanit “Darka e gabuar” të shkrimtarit më të njohur shqiptar, Ismail Kadare, ndërsa për gazetari ishin shpërblyer gazetarët Rexhep Krasniqi dhe Serbeze Haxhija me tekstin e tyre “Jeta në kërkim të një varri”, të botuar në “Koha Ditore”.

Ceremoni që lë kujtime të bukura

Detaje nga vizita e befasishme për shumicën e të pranishmëve, e shkrimtarit të shquar shqiptar, Ismail Kadare, për të pranuar çmimin “Rexhai Surroi”, ishin përmbledhur në materialin që u shfaq si uverturë e ceremonisë së sivjetme. Ajo nuk ka pasur se si të niste ndryshe, pos me fjalët e Rexhai Surroit, të cilat ai i pati thënë në qershor të vitit ’70 me rastin e hapjes së Universitetit të Prishtinës.

“Gjuha shqipe nuk është më vetëm gjuhë e sharraxhinjve, e pastruesve të rrugëve, e hamajve e bujqve, por gjuhë edhe e qindra mijëra nxënësve të shkollave fillore e të mesme, të mijëra e mijëra studentëve, të dhjetëra profesorëve të fakulteteve dhe gjuha edhe e doktorëve të shkencave, inxhinierëve, mjekëve e qytetarëve tjerë akademikë”.

Flaka Surroi, drejtoreshë e Grupit “Koha”, në fjalën e saj ka rikthyer nga kujtesa tri ngjarje, të cilat, siç tha ajo, i ka regjistruar në sirtarët e kujtesës së saj, e që do t’i mbajë mend si tri çaste të veçanta që shënuan vitin 2010.

“E para, ishte Mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, që vulosi legjitimitetin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Nuk ka dyshim se ky Mendim na bën që të ndihemi krenarë për të gjithë një popull që i kontribuoi kësaj pavarësie. Momenti i dytë ishte, pa dyshim, aventura e zgjedhjeve të para parlamentare në Kosovën e pavarur. E dimë se ajo rezultoi me shkeljen e dinjitetit të njerëzve, vota e të cilëve u vodh, duke ua mohuar kështu gëzimin e të drejtave që i garantojnë Kushtetuta dhe ligji. S’do mend se ky do të jetë kujtimi më i keq që do të na lërë pasoja, me të cilat do të ballafaqohemi për shumë kohë”, ka thënë Surroi.

Momenti i tretë, edhe pse jo i tillë me kronologji, për Flaka Surroin ka qenë kremtimi i dhjetëvjetorit të televizionit “Kohavision” – televizionit i cili quhet më alternativi në Kosovë.
“Se çfarë kishin menduar autorët e këtij epiteti kur e kishin thënë këtë për KTV-në, nuk e di. Atë që e di, dhe do të më lejoni që këtu të më mungoj modestia, është se pa asnjë dilemë ‘Kohavisioni’ është televizioni më i pavarur në Kosovë… ashtu siç ‘Koha Ditore’ është gazeta më e pavarur e Kosovës”, ka thënë ajo, teksa ka shtuar se si ngjarja e katërt e vitit 2010, e cila do t’i regjistrohet me automatizëm, do të jetë kjo ceremoni.

“KOHA” promovon librin “Qielli pa pëllumba” të Maksut Shehut

Prishtinë, 22 dhjetor – Përveç ndarjes së shpërblimeve për letërsi dhe gazetari “Rexhai Surroi”, edhe këtë vit Grupi “Koha”, ka lansuar një botim të ri. Ka qenë vepra “Qielli pa pëllumba” e Maksut Shehut, figurës që ka bërë histori në gazetarinë dhe letërsinë kosovare, ajo që është promovuar të mërkurën. Vepra e botuar nga dorëshkrimi, është pjesë e bibliotekës “Oda”. Promovimit të këtij libri i ka paraprirë një dokumentar për jetën dhe veprën e Maksut Shehut, i përgatitur nga “Kohavisioni”, në të cilin kujtimet për doajenin e gazetarisë kosovare i kanë evokuar, bashkëpunëtorët e tij Zenun Çelaj, Aziz Abrashi, Ibrahim Berisha etj.
Ndërkaq, publicisti Veton Surroi, duke folur për librin, para të pranishmëve, ka evokuar kujtime për ish-redaktorin e tij të parë, në vitin 1982, kur ai kishte nisur të punonte në të përditshmen “Rilindja”.

“Roli i Maksutit dhe i garniturës redaktoriale të ‘Rilindjes’ së asaj kohe ishte të krijonin ombrellën e lirisë, dhe një shkallë lirie mendimi. Njëkohësisht krijohej një ndjenjë e mbrojtjes, që ai shkrim i cili mbërrinte te Maksuti, mbërrinte te një njeri i cili në fund do të duhej ta nënshkruante gazetën dhe ta mbronte edhe gazetarin edhe gazetën”, ka thënë Surroi, teksa ka shtuar se këtë mendim, të ndjenjës së mbrojtjes e kishte edhe kur kishte lexuar në dorëshkrim romanin “Qielli pa pëllumba”.
“U botua pas vdekjes së autorit dhe natyrisht është tekst i paredaktuar, i pandërruar. Ndërrohet vetvetiu, jo nga ata që lexojnë e korrigjojnë, por nga lexuesit. Është një produkt i cili do të duhej të konsumohej i tillë çfarë është, apo çfarë ishte në kohën kur është shkruar”, ka thënë Surroi.
Maksut Shehu, Maksi, siç e thërrisnin miqtë e tij, ka vdekur në vitin 2006 në moshën 76-vjeçare, nga një sëmundje e rëndë.     /kohaditore

  • dona

    nje roman shum i mir ………….