Agimi i Artë "copëton" Maqedoninë dhe Shqipërinë

Agimi i Artë “copëton” Maqedoninë dhe Shqipërinë

Agimi i Artë "copëton" Maqedoninë dhe ShqipërinëPortalet maqedone kanë publikuar sot një hartë të partisë ultra-djathtiste greke Agimi i Artë, në të cilën Republika e Maqedonisë shfaqet e ndarë, gjegjësisht e copëtuar nga disa shtete.

E njëjta hartë është paraqitur edhe në dy mitingjet e kësaj partie që u mbajtën këtyre ditëve në rrugët e Athinës dhe të Selanikut. Nëfokus të këtyre dy tubimeve ishte pikërisht çështja e Maqedonisë.

Mediat maqedone nënvizojnë se, veprimet dhe politikat kontroverse e Agimit të Artë po vazhdojnë të shokojnë opinionin në Maqedoni dhe më gjerë.

Ndryshe, në hartën e Agimit të Artë pjesa më e madhe e Maqedonisë aktuale i takon Greqisë, ndërkohë që nga një pjesë iu takon edhe Serbisë, Shqipërisë dhe Bullgarisë. Veç kësaj, në hartë shihet se Agimi i Artë ka apetite që të marrë edhe disa pjesë të Shqipërisë, por edhe të Bullgarisë.

Në pjesën e Maqedonisë vërehet lehtë se – sipas fashistëve grekë – gjysma e territorit duhet t’i takojë Greqisë, pasi që ai territor nga Agimi i Artë konsiderohet “tokë e okupuar nga Republika e Vardarit”. Rrjedhimisht, fashistët grekë synojnë marrjen e territorit deri afër Kërçovës, por pa i përfshirë këtu disa nga qytetet tjera shqiptare, si Dibra, Gostivari, Tetova, Shkupi e Kumanova, megjithëse “tokë greke”, sipas tyre, duhet të jenë Struga, Ohri, Manastiri, Prilepi, Strumica dhe Shtipi.

Po ashtu, fashistët e Agimit të Artë pretendojnë se edhe jugu i Shqipërisë është tokë greke, ngase është okupuar nga Shqipëria, që nënkupton se Greqia duhet të shtihet deri aty. E, për sa i përket Bullgarisë, me hartën e Agimit të Artë parashihet që Greqisë t’i takojë edhe territori i quajtur “Rumelia Lindore”, e cila është okupuar nga Bullgaria.