Agim-Veliu

Agim Veliu zbeh shpresat e Ahmetit për ujin

Agim-Veliu“Ëndërrime të mira”. Kështu e quan kryetari i Podujevës, Agim Veliu, vizitën e kreut të Prishtinës, Shpend Ahmeti, në përpjekje për të gjetur burime të ujit për Prishtinën në Komunën e Podujevës.

Ahmeti para dy ditëve vizitoi edhe dy lumenj që derdhen në lumin Llap, atë të Kaçandollit dhe të Metehisë. Madje, prezantoi një plan fillestar se si këta dy lumenj do të mund ta mbushnin liqenin e Batllavës.

Por, kreu i Podujevës, thotë se Ahmeti le të bëjë plane në Prishtinë. “Vizitën e kryetarit Ahmeti e kam parë nëpërmes mjeteve të informimit. Ato janë dëshira të mira të tij, por për ujë të Prishtinës duhet të hulumtojë në Prishtinë, jo në Podujevë”, thotë i pari i Podujevës. Madje, plani i duket zor i realizueshëm ani pse thotë se Podujeva nuk lejon më që lumenjtë t’ia shfrytëzojë Prishtina.

“Ato projekte nuk mund të realizohen qysh mendon ai. Ato kanë implikime të mëdha për komunën, për banorët e Podujevës dhe vet qytetin. Aty duhet të bëhen penda, duhet të zhvendosën fshatrat, të bëhen kompensimet e pronave.

Pastaj ka implikime për të gjitha fshatrat. Rrjedha e lumit Llap, as nuk mund të ndërrohet as nuk mund të pakohet, sepse ai nuk i takon veç një fshati, por i takon të gjithë Llapit.

Ai e ka burimin në krye të Llapit dhe përfundon në fund, nga ku i përshkon të gjitha fshatrat. Kështu që ato janë ëndrra të mira të Shpendit, por ec e realizoji”, shton kryetari Veliu. /tribuna/