|

Agim Çeku: Për ushtri vendosim ne

Agim cekuUshtria e Kosovës do t’i ketë tetëmijë ushtarë dhe katër njësi komanduese.Ministri i FSK-ës, Agim Çeku, thotë për RTK-në se NATO nuk ka autoritet të marrë vendime për të ardhmen e FSK-ës.

“Ai është vendim autonom i institucioneve të Kosovës, është vendim i sovranit dhe veç Kosova mund të merr vendim për një gjë të tillë”, pohoi Ministri Çeku.

Mirëpo ai u shpreh i bindur se edhe në këtë proces, Kosova do ta ketë mbështetjen e NATO-së.

Çeku thotë se çdo vend ka emërtim të ndryshëm, se 18 vende të NATO-së nga 28 sa janë gjithsejtë, ushtritë i quajnë Forca të Armatosura.

“Por, të gjitha për nga natyra, për nga misioni, për nga detyrat, për nga substancat janë ushtri, kështu që edhe Forcat e Armatosura të Kosovës do të jenë ushtri dhe të gjithë do ta quajnë Ushtri”, tha ai.

“Ne do t’i kemi Forcat Tokësore që dikush i quan Ushtri, do ta kemi Gardën Kombëtare, do ta kemi Komandën e Logjistikës dhe Komandën e Trajnimit dhe Doktrinës, pra katër lloj të forcave dhe për këtë arsye quhet Forcat e Armatosura të Kosovës. Me këto ndryshime, edhe Ministria për FSK-në do të shndërrohet në Ministrinë e Mbrojtjes së Kosovës dhe do të jetë ministri e mbrojtjes me kompetenca, me strukturë e me detyra të ngjashme me çdo ministri të mbrojtjes në botë”. /RTK/