Adelina Ismaili premton bombën e vërtetë të muzikës shqiptare

Adelina Ismaili premton bombën e vërtetë të muzikës shqiptare

Adelina Ismaili premton bombën e vërtetë të muzikës shqiptareDaljet e saja mediatike janë të rralla, por tërheqin vëmendjen. Këngëtarja e njohur, Adelina Ismaili, këtë radhë ka vendosur të rrëfehet për një revistë kosovare, ndërsa ne ju sjellim disa pjesë nga ajo intervistë në të cilën pop diva rrëfehet ndryshe.

Se çfarë bën, çfarë pëlqen e shumë gjëra të tjera i tregon vetë Adelina.Ka një kohë të gjatë që nuk jeni shumë prezente në skenën shqiptare, na tregoni më shumë se me çfarë jeni e angazhuar?

Kam një projekt, i cili e ka kohëzgjatjen rreth një vit dhe do të punohet edhe më gjatë. Angazhimet e mia të zakonshme në politikën kosovare nuk mbarojnë thuajse kurrë. Jam duke ndihmuar që kompania jonë e lokalizuar në Zvicër dhe Francë të zgjerojë biznesin edhe në Shqipëri e Kosovë. Në jetën private angazhohem maksimalisht dhe absolutisht nuk mendoj që duhet medoemos të jem e angazhuar muzikalisht pas 27 vitesh karrierë intensive.

Jam e vetmja që besoj i kam dhënë të gjitha provimet që janë kërkuar nga unë pa pasur asnjë borxh ndaj askujt, sepse po flasim për muzikë. Unë nuk kam votën e qy tetarit të ndihem e obliguar, por dashurinë e miqve, nuk parapëlqej fjalën fans, pasi shumicën i konsideroj miq të vërtetë. Për këtë arsye do të jap maksimumin që këtë vit të sjell një bashkëpunim muzikor, i cili guxoj të them se do të jetë një bombë e vërtetë në muzikën shqiptare, ja ma nxorët surprizën (qesh).

Nëse themi Kosovë, çfarë të vjen në mendje?
Gjak dhe mjaltë. Vendi, i cili nuk më ka dhënë asnjë rrogë për 27 vite punë, por më ka dhuruar hyjnoren e një dashurie pa fund të kosovarëve, dashuri altruiste, e cila nuk blihet me asgjë.

Ndonjë dashuri tjetër, përveç muzikës?
Sporti, shkrimi, politika, kam një pasion të çuditshëm ndaj armëve, kryesisht thikave. Besoj që është pasojë e kohës në të cilën jam rritur, aktrimi si një dashuri e fshehtë.

Çfarë është e domosdoshme për një artist, në këtë rast këngëtar?
Talenti natyrisht, por edhe shkollimi adekuat, edukimi, dashuria ndaj kombit, vetvetes dhe origjinalitetit. Asgjë nuk mund t’i rezistojë kohës, besoj se artisti nuk guxon të mbyllet në botën e vogël të xhelozisë, inateve personale… Një artist duhet gjithmonë të shikojë gjërat më gjerë, më me objektivitet dhe t’i pasqyrojë ato ashtu si janë, pse jo edhe t’i zbukurojë. Artisti pasuron shoqërinë, kjo është primare.

Këshilla më e mençur që ju ka dhënë dikush?
Nëna ime. ”Bëj atë që të do zemra, në fund je ti ajo që do gjykohesh vetëm nga vetja”.

Si i keni raportet me duhanin a e konsumoni?
Po e konsumoj, kemi raporte të shkëlqyera, më do dhe e dua (qesh).

Cilat janë tri gjërat të cilat duhet patjetër t’i blini me të hollat e fundit në kartën tuaj?
Libri i fundit i Coelho-s apo Kadaresë, kremi i fundit i “Chanel” dhe një dhuratë për ata që i dua.

Çfarë ju jep më shumë kënaqësi?
Shëtitjet në mbrëmje me Valin buzë liqenit.

Cila është dhurata më e bukur që keni marrë?
Një unazë, që ka një domethënie të pafundme për mua.

Cilët janë heronjtë tuaj?
Është një, Ibrahim Rugova. Sot, kur ai nuk është mes nesh, unë ende mrekullohem nga gjenialiteti i tij.

Çfarë duhet të provojë patjetër një femër një herë në jetën e saj?
Dashurinë pa kushte…

A keni ndonjë talent sekret?
Po (qesh). Mund t’i bie pianos mbrapsht dhe në baste politike gjithmonë ia qëlloj se kush do të fitojë dhe ku (qesh)./panorama/